Pyjet e Bulqizës në flakë, retë e tymit eklispiojë diellin mbi qytet
Bulqizë – Të paktën prej 3 ditësh, rajoni i Bulqizës në një rreze prej rreth 20 kilometrash, është mbuluar nga retë e tymit, si pasojë e zjarreve në pyje. Qielli është kthyer në ngjyrë të hirtë dhe dielli është eklipsuar.
Në tre rajone të nënprefekturës Bulqizë, në verilindje të malit të Bardhë mbi fshatin Homesh, Qafa e Dragunit dhe Luçanë, vijojnë të digjen kodra dhe pyje me shkurre, lis, ah dhe pisha të reja, që janë kthyer në kërcënim të madh jo vetëm për pyjet, por edhe për banorët.
Ndërkohë situatë problematike është krijuar në fshatin Dragu të komunës Fush-Bulqizë, ku një vatër e fuqishme zjarri e shfaqur para 3 ditësh, ka përfshirë gjithë malin mbi këtë fshat, duke rrezikuar edhe shtëpitë e banimit një pjesë e të cilave aktualisht ndodhen vetëm rreth 100 metra larg tij. Për shmangien e rrezikut të mbërritjes së zjarrit pranë banesave, në ditën e sotme kanë punuar banorë të komunitetit, si dhe punonjës të komunës, të cilët situatën e kane vlerësuar si tejet kritike dhe janë munduar për të shuar zjarrin.
Banorët në ndihmë të izolimit të zjarrit, kanë shtrirë rreth 1 kilometër tubacione uji për të mundësuar që zjarri të mos përparojë drejt banesave të tyre. E vetmja zjarrfikëse që disponon rrethi i Bulqizës, vijon të qendrojë në vendngjarje, por pa mundur të veprojë për fikjen e zjarrit, për shkak të terrenit malor.
Ndërkohë zjarret në Luçanë, në afërsi të minierës së Bulqizës, ku deri më tani nuk ka asnjë ndërhyrje për izolimin e tij, për shkak të temperaturave të larta dhe erës kanë vijuar të përparojnë deri në afërsi të galerive të Zonës D, si dhe në afërsi të rrugës nacionale Qaf-Bualli- Krastë. Gjithsesi kata dy vatra zjarresh të fuqishme, jo vetëm që kanë djegur gjithë kurorën e qytezës së Bulqizës, por kanë vënë në vështirësi edhe banorët pasi retë e tymit kanë mbuluar gjithçka duke vështirësuar ndjeshëm edhe frymëmarrjen e tyre.
/IDEA/