E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjakosen me thikë adoleshentët

Dy adoleshentë ndodhen në gjendje kritike për jetën në qytetin e Elbasanit. Persona ende të paidentifikuar i kanë goditur disa herë me thika dhe tashmë ndodhen në spitalin kirurgjikal të këtij rrethi. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në një lokal në qendër të lagjes "Fushë-Mbret", në periferi të qytetit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, janë plagosur rëndë dy kushërinjtë 18-vjeçarë, E.B. dhe O.B., rreth orës 14:30 të ditës së djeshme. I njëjti burim ka saktësuar se ata janë gjuajtur me thika disa herë në pjesë të ndryshme të trupit nga dy persona të tjerë, por që policia ende nuk i ka identifikuar me emra. Po dje është thirrur në pyetje pronari i lokalit ku ka ndodhur ngjarja, si dhe disa klientë që kanë qenë në momentin e kësaj ngjarjeje, por nga informacionet e dhëna ata kanë pohuar se nuk i njihnin gjakësorët. Sipas burimeve spitalore, 18-vjeçari O.B., ndodhet në gjendje shumë të rëndë dhe po mbrëmë është kërkuar që të niset për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Policia është në kërkim të identitetit të autorëve dhe akoma nuk janë zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›