Rekrutimi me dhunë, vetëm për personat në kërkim
Marrja me forcë e djemve për shërbimin ushtarak ka "detyruar" nënkolonel Fatri Kasapi, shef i Degës së Mobilizimit në Qarkun e Elbasanit, për të dhënë disa shpjegime ndoshta të nevojshme për procedura të veçanta. "Nuk duhet interpretuar me dhunë, por me forcë, pasi një kategori djemsh që i janë shmangur me dashje shërbimit të detyrueshëm ushtarak, janë shpallur, me kërkesën tonë, si persona në kërkim", ka deklaruar Kasapi. Sipas tij, ka një kategori të moshës së kërkuar për këtë shërbim që nuk u janë përgjigjur fletëthirrjeve për pesë vjet me radhë dhe për këtë qëllim është kërkuar ndërhyrja e policisë së rendit me kërkesën e Degës së Mobilizimit dhe me lista të përcaktuara nga ky institucion. Sipas shifrave zyrtare, në Qarkun e Elbasanit numërohen rreth 35 mijë shtetas që duhet të kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ku mbi 80% e tyre i shmangen në mënyra dhe forma të ndryshme këtij detyrimi. "Së pari, ky problem çalon tek instancat vendore, që janë të detyruara me ligj të ndjekin fletëthirrjet e institucionit tonë dhe së dyti, aq më keq që shumica e kryetarëve të këshillave të fshatrave hartojnë lista fiktive për rekrutët si ‘emigrantë‘ në shtete të ndryshme gjer në Amerikë", ka shtuar Kasapi. Sidoqoftë, plani i rekrutimit për këtë qark, për këtë vit, është realizuar në masën 100 për qind, pavarësisht se 30 për qind janë paraqitur vullnetarisht për kryerjen e shërbimit ushtarak të detyrueshëm dhe 70 për qind janë marrë me ndihmën e organeve të policisë. Nga ana tjetër, vetëm për muajin janar të këtij viti, 27 persona e kanë "kryer" këtë shërbim me pagesën prej 300 mijë lekësh, ku vetëm për vitin që u mbyll, në arkën e shtetit janë depozituar 840 milionë lekë nga rekrutët me parapagesë. Por ka edhe një fije shprese që e jep ligji aktual për ata që refuzojnë të kryejnë ushtrinë. "Ligji përjashton nga ky detyrim vetëm ata që kanë kaluar moshën 27 vjeç, ata që rezultojnë të martuar dhe kanë një fëmijë, të paaftët me komision mjeko-ligjor dhe ata që vërtetohen se rezultojnë në sekte fetare të ndryshme", ka shpjeguar kreu i Degës së Mobilizimit të Qarkut të Elbasanit. Megjithatë, shumica e djemve me moshë për ushtri lëvizin në këtë territor sikur të ishin emigrantë ilegalë, nga frika e furgonëve të policisë!