Korçë, përurohet burgu i sigurisë së lartë
Përurohet në Korçë burgu i sigurisë së lartë, një investim i Bashkimit Evropian me një vlerë 3.8 milionë euro. Duke u konsideruar si një nga burgjet më moderne në vend, me kushte të larta dhe të rrepta sigurie, por edhe me standarde evropiane, investimi është vlerësuar gjatë ceremonisë së përurimit nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ministri i Financave Ridvan Bode, dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra. Burgu i sigurisë së lartë në Drenovë ka nisur nga funksionimi si institucion për trajtimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve për vepra të rënda, me kategorinë e sigurisë së mesme dhe të lartë, në muajin tetor të vitit të kaluar, kur nisi edhe transferimi i të dënuarve nga zona juglindore. Gazmend Dibra tha se ky është një nga institucionet më modernë në Shqipëri, në vazhdën e një strategjie të hapjes së institucioneve të reja sipas standardeve evropiane, dhe krahas kësaj, trajtimit sa më human dhe njerëzor për ata të dënuar që trajtohen në to. Për ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, hapja e këtij institucioni është me rëndësi, pasi të dënuarit do të trajtohen në kushte të mira akomodimi, jo më në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Korçës e në qelitë ku më parë kishte një mbipopullim të ambienteve. "Në raportin e fundit të komisionit të parandalimit të torturës janë dhënë vlerësimet më të larta, si standardet më të mira të arritura gjatë 20 viteve të fundit në trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve", u shpreh Alibeaj.