E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet përfundimisht Gjykata e Bulqizës

Dje është shënuar dita e fundit e funksionimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Rrethin e Bulqizës. Që nga vera e vitit të kaluar, kur me vendim të Ministrisë së Drejtësisë u bë mbyllja e kësaj gjykate, ajo ka funksionuar vetëm dy ditë në javë, për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore, në ngarkim të banorëve të këtij rrethi. Kështu, për çdo ditë të mërkurë dhe të premte, pranë godinës së kësaj ish-gjykate, vinin gjyqtarë dhe prokurorë nga Peshkopia, për zhvillimin e seancave gjyqësore, duke u ardhur në ndihmë banorëve të rrethit. Por, një vendim i ditëve të fundit ka bërë që kjo gjykatë të mbyllet përfundimisht. Duke filluar nga dita e djeshme, në godinën e ish-gjykatës së Bulqizës nuk do mund të zhvillohen më seanca gjyqësore në ngarkim të qytetarëve të Rrethit të Bulqizës, si për çështje penale, ashtu edhe administrative. Ndërkohë, një situatë e tillë ka sjellë mjaft pesimizëm te banorët e këtij rrethi, pasi për çdo lloj çështje gjyqësore ata janë të detyruar të udhëtojnë me kilometra të tëra për në Peshkopi. Më shumë probleme krijohen për zonën rurale të këtij rrethi. Banorëve të saj do t‘u duhen të udhëtojnë me qindra kilometra të tëra, për zhvillimin e seancave gjyqësore. Kështu, banorë nga Martaneshi, Trebishti, Tërnova, Smolliku, Ostreni, Gjurasi etj., duhet që për të zhvilluar një seancë gjyqësore të udhëtojnë drejt Peshkopisë një ditë më parë se data e zhvillimit të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›