E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujtim Prodani: Një album i ri në homazh të babait tim

"Janë copëza të jetës sime". Kështu thotë Kujtim Prodani kur nis të flasë për albumin e ri. Miq, shokë e kolegë, në një festë promovuese do të jenë publiku i parë i një pune që i ka kushtuar tri vjet. Janë krijime që kanë marrë jetë mes Austrisë dhe Tiranës. Balada, pop deri edhe këngë humoristike, nën emërtimin "Me sytë nga dera", bashkë me melodinë sjellin edhe shumë ndodhi të jetës së kantautorit. Pas albumit të parë "I‘m from Albania", Prodani sjell të tjera frymëzime muzikore, mes të cilave nuk gjen paralele krahasimi. Mes emocioneve të një pune të përfunduar dhe druajtjes së përballjes së krijimit të ri me publikun, Kujtim Prodani gjen gjithnjë një model për stimul; të atin. Sot është përvjetori i njëzet i largimit të tij nga kjo jetë. Një album i ri dedikuar atij është kujtimi më i mirë për kompozitorin e njohur, Agim Prodani.

Një album i ri ju vë në dialog të drejtpërdrejtë me publikun. Si vjen këtë herë Kujtim Prodani?

Tingëllon bukur të thuash një album i ri dhe është kënaqësi që më në fund do t‘i shfaqet publikut dhe artdashësve. Janë dhjetë këngë të reja, ndërkohë dy të tjera janë të njohura tashmë. Janë copëza të jetës sime. Ata që më njohin mirë do ta kenë të thjeshtë ta kuptojnë këtë, ndërsa dëgjuesit e tjerë, ata që më njohin më pak do të duhet t‘i dëgjojnë disa herë këngët dhe albumin. Kam bashkëpunuar me poetë të ndryshëm si Arben Duka, Maklena Çabej, Armand Trebicka, Kujtim Boriçi, një tekst të Ervin Hatibit. Ka një larmishmëri autorësh e tekstesh. Ka baladë, shanso, pop, një këngë humoristike. I gjithë albumi është realizuar në Tiranë në studion "Imea". Jam i kënaqur nga puna, por edhe disi nervoz nga reagimi i publikut. Uroj që të pëlqehet e këngët të kenë jetëgjatësi.

"Me sytë nga dera", një titull simbolik, por ndoshta dhe real. Çfarë prisni ju?

Kështu titullohet njëra nga këngët e albumit, ka vargje shumë të bukura dhe besoj se dëgjuesit do të gjejnë vetveten aty. Secilit i ka qëlluar në jetë të përjetojë ndonjë histori, ndonëse në mënyra të ndryshme. Në të njëjtën kohë, të gjithë ne jemi në pritje të diçkaje të mirë apo të bukur që mund të vijë nga dera dhe në një çast të caktuar. Unë jam në pritje të asaj që është e bukur. Ndoshta pas tri javësh, kjo këngë do të shoqërohet edhe me një videoklip që do të realizohet nga regjisori Gjergj Xhuvani. Ndërsa një videoklip i dytë diku nga vjeshta do të shoqërojë këngën "Sara". I është kushtuar një vajze të vogël 9-10 vjeçare që ëndërron të bëhet muzikante e që rritet çdo ditë me meloditë tona dhe e këndon bukur muzikën tonë. Uroj që ky album të mos jetë pjesëmarrës në asnjë kompeticion, sepse dua që të mos vlerësohet nga juritë, por nga publiku.

Sot, miq e kolegë, do të jenë të parët që do ta dëgjojnë këtë album...

S‘dua t‘i fsheh emocionet, por fakti që nuk janë vetëm miq e shokë, por edhe shumë kolegë, përgjegjësia është edhe më e madhe. Do të jenë Gjergj e Luiza Xhuvani, Ndriçim Xhepa, Alfred Trebicka, Ardian Trebicka e mjaft të tjerë. Ata gjykojnë me shijet e një profesionisti. Gjithsesi kjo është puna që unë kam bërë dhe ata duhet të pranojnë këtë që është. Për kritikat mbetem gjithnjë i hapur. Albumi ka mbaruar prej disa kohësh dhe kisha një motiv të fortë për ta prezantuar sot. Më 9 qershor shënohet 20- vjetori i vdekjes së babit tim dhe kisha dëshirë që albumi të ishte një homazh kushtuar jetës dhe krijimtarisë së tij. Unë kam mbaruar një shkollë dhe kam një diplomë në Akademinë e Arteve, por kam dhe një diplomë të dytë që quhet Agim Prodani.

Sa nga puna juaj ia dedikoni babait, kompozitorit të njohur Agim Prodani?

Gati 95 për qind të asaj që kam dhe dua të arrij në këtë jetë ia dedikoj atij, 5 për qind është puna, këmbëngulja e dëshira ime për këngën.

E ka dëgjuar nëna juaj albumin?

Mamaja është e para që dëgjon muzikën time. Ka bërë vërejtjet e saj. Disa i kam marrë parasysh e të tjera jo. Dikush ndoshta do të bëjë edhe krahasime me albumin e parë "I‘m from Tirana", por nuk besoj se ka vend për paralelizma. Ai ishte një album, i shkruar në një kohë tjetër. Gjatë tri viteve punë që ia kushtova albumit të dytë kam përjetuar shumë ngjarje, momente të hidhura, të bukura, shumë të bukura, të cilat jam përpjekur t‘i paraqes në këtë album.

Gjatë këtyre tri viteve, si keni bashkëjetuar ju me muzikën që tashmë është bërë pjesë e albumit?

Është ndjesi e çuditshme, sepse çdo orë të ditës truri punon për muzikë. Dikush ka thënë që ti fle me turbina të hapura dhe kjo është e vërtetë. Me realizimin e albumit të dytë besoj se unë dhe krijimtaria ime ia kemi dalë mbanë, kam marrë kënaqësinë dhe ndjesinë se po bëj diçka. Njëkohësisht kam përjetuar edhe nervozizëm. Artisti ka nevojë të shkruajë, të promovojë dhe në Shqipëri është e vështirë. Unë nuk gjej qetësi. Vendi ku prehem e kompozoj me orë të tëra është Austria. Ndaj edhe pjesa më e madhe e këngëve janë shkruar atje për t‘u përpunuar më tej në Tiranë.

Ju frymëzon Austria apo vetmia?

Nuk kanë lidhje të dyja. Më frymëzon qetësia. Austria është një vend i mrekullueshëm ku punoj e shkruaj, është larg zhurmës së Tiranës. Aq sa më merr malli, aq ndiej që kam energji dhe dua t‘i çliroj, t‘i shkarkoj dhe kështu dalin këngët.

Theksuat më parë se artisti e ka të vështirë të krijojë e promovojë në Shqipëri. Cili është raporti juaj personal me tregun që shumë e kanë cilësuar kaotik?

Ne jemi në një treg kaotik dhe këtë e thonë shumë kolegë. Por ne vetëm sa e konstatojmë këtë problem, e nuk bëjmë asgjë për ta rregulluar. Sërish përpiqemi t‘ia vëmë fajin kohës, nxitojmë në çdo rast të themi se do të vijë një ditë më e mirë. Unë, ne, secili duhet të përpiqet të bëjë më të mirën për ta përmirësuar këtë treg të muzikës. Albumi im është muzikë e shkruar nga një profesionist, i diplomuar për kompozicion dhe përtej kënaqësisë, e ndiej si një detyrim për të kontribuar në lëvrimin e muzikës së lehtë shqiptare, të kësaj muzike që kolosë dhe një plejadë e mrekullueshme kompozitorësh kanë hedhur themelet para dekadash.

Nga momenti i diplomimit deri më sot, çfarë ka ndodhur me Kujtimin kompozitor?

Kanë ndodhur shumë gjëra. Kanë kaluar 21 vjet kur u diplomova me kompozicion, diplomën e mbrojta me një vepër të madhe, një koncert për piano orkestër që u luajt me mjeshtëri nga Nora Çashku. Disa muaj më pas pata fatin të bashkëpunoj me regjisorë të njohur si Piro Milkani dhe Albert Minga, shkrova muzikën e filmit "Unë e dua Erën" dhe "Ngjyrat e moshës". Atëkohë sa kisha dalë nga shkolla, ishte një përvojë emocionuese dhe bashkëpunimi me kineastët më dha besim të mendoja se kjo ishte rruga ime. Kompozova dy-tri këngë të tjera dhe në vitin 1991 m‘u desh të largohesha si shumë të tjerë. Në rrugën e kantautorit hyra si padashur në vitin ‘92, shkrova një album të parë në gjermanisht dhe frëngjisht, ndërsa për publikun shqiptar u shfaqja në 2005, një rikthim me këngën "I‘m from Albania". Sot, vij me albumin e ri dhe me kujtimin e tim eti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›