E Diel, 1 Nëntor 2026

Peleshi: “Synoj një Korçë me infrastrukturën më të mirë në Shqipëri”

Flet kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi

Niko Peleshi, kryetar i Bashkisë së Korçës, ka treguar për “Albania”-n vizionin dhe projektet që po zbatohen apo që pritet të zbatohen në këtë qytet. Peleshi është përqendruar në ndërtimin e infrastrukturës së urbanistikës, ku një vend të rëndësishëm zë edhe impianti i ri i përpunimit të plehrave apo investimet në kanalizime dhe rrjete rrugore. Sipas tij risia për periudhën e kaluar ishin investimet të përqendruara në blloqe pallatesh me të gjitha elementet e infrastrukturës, kanalizime, trotuare, lulishte, ndriçim, rrugë, parking dhe terrene sportive. Peleshi ka pohuar se Bashkia do të vazhdojë investimet publike të nisura që konsistojnë kryesisht në sistemime e asfaltime rrugësh si edhe në shtimin e sipërfaqeve të gjelbra. Kryetari Niko Peleshi nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin se Bashkia ka iniciuar gjithashtu hapjen e një qendre për grumbullimin e veshjeve dhe mjeteve të përdorura, por të mirëmbajtura, të cilat do t’u shpërndahen familjeve të varfra në qytet. Nga ana tjetër, në vijim të kësaj strategjie sociale, Këshilli i Bashkisë Korçë, këtë vit miratoi fondin prej 1 milion e 200 mijë eurosh, i cili do të vihet në dispozicion të strehimit për ndërtimin e 96 apartamenteve banimi. Kreu i Bashkisë së Korçës ka shpalosur edhe planet për ngritjen e një universiteti amerikan në këtë qytet.

Z. Peleshi, nuk është vështirë të konstatosh se Korça është një qytet ku fryn një erë e re zhvillimi...

Ndryshimet në Korçë janë të konstatueshme dhe një realitet i dukshëm për të gjithë. Qyteti ka ndryshuar. Pamja e qytetit përmirësohet përditë, duke lënë pas imazhin e një qyteti të së shkuarës, të lodhur prej tranzicionit. Kjo dinamikë zë fill në krijimin e përbashkët të vetëdijes pushtetare dhe të publikut se me përpjekje dhe ide të motivuara diçka mund të arrihet patjetër. Unë vetë jam përpjekur t’i shërbej filozofisë sime përkrah menaxhimit të pushtetit, duke e konsideruar pozicionin tim si të një politikani të zgjedhur nga populli, gjë që natyrshëm të karikon me një detyrim të fortë moral për t’u përkushtuar pa pushim në shërbim të komunitetit që të ka vlerësuar dhe besuar. Gjithë stafi i Bashkisë jemi në një gjenerim të vazhdueshëm idesh e përpjekjesh për të përballuar sfidat e mëdha që kemi përpara, që nuk janë të pakta. Gjatë vitit të kaluar, në politikën e saj të investimeve, Bashkia inicioi projekte strategjike për të rritur maksimalisht eficencën me qëllim që komuniteti të përfitojë sa më shumë nga këto investime. Risia për periudhën e kaluar ishin investimet të përqendruara në blloqe pallatesh me të gjithë elementët e infrastrukturës, kanalizime, trotuare, lulishte, ndriçim, rrugë, parking dhe terrene sportive. Kurse projektet e investimeve të Bashkisë për periudhën në vijim do të jenë të kompletuara me të gjitha elementet, duke plotësuar standardet bashkëkohore të qyteteve të zhvilluara.

Krahasuar me bashkitë e tjera të vendit duket se lista e investimeve të bëra është e konsiderueshme në qytetin tuaj. Çfarë synoni të arrini në muajt e ardhshëm, çfarë projektesh konkrete synoni të realizoni në qytet?

Synimi ynë është që Korça të jetë qyteti me infrastrukturën më të mirë në Shqipëri. Në vijim Bashkia do të vazhdojë investimet publike të nisura që konsistojnë kryesisht në sistemime e asfaltime rrugësh si edhe në shtimin e sipërfaqeve të gjelbra. Projekti i ri “Menaxhimi dhe përpunimi i mbetjeve urbane”, investim i KFW në vlerën e 20 milionë euro (Korça është quajtur kryeqyteti i investimeve gjermane), i cili parashikon një territor të ri për depozitimin e mbetjeve urbane te Fusha e Maliqit, është gati për t’u zbatuar. Do të restaurohet dhe rivitalizohet Pazari i vjetër i Korçës, i cili aktualisht mban statusin e Monumentit të Kulturës dhe është përzgjedhur si i vetmi projekt nga e gjithë Shqipëria për t’u prezantuar në Konferencën e Donatorëve në Verona. Ka filluar ndërtimi i kompleksit të ri muzeal të artit mesjetar, i cili është një objekt mjaft i rëndësishëm për gjithë rajonin. Ai është një muze kombëtar, një nga më të mëdhenjtë në Europë përsa i përket artit bizantin, me një fond prej 7000 objektesh, mes të cilave ikona, punime në gur, dru, skulptura etj. Ndërtimi i këtij objekti, investim i qeverisë greke sipas programit “AID”, është pjesë e projekteve dhe vizionit të Bashkisë për zhvillimin e turizmit kulturor.
Në një përpjekje për zhvillimin e programeve të saj, duke synuar e vlerësuar partneritetin e aktorëve lokalë, Bashkia ka prezantuar projekt-idetë e saj në takime me drejtuesit e institucioneve kryesore në qytet si dhe organizatave joqeveritare. Disa nga këto programe janë: Qyteti Social; Qyteti për fëmijët; Qyteti mbështet të rinjtë; Bashkia për qytetarët; Korça, shpirti i traditës; Sport për të gjithë; e-City. Në kuadrin e programit tonë: ”Qytet social”, do të krijohet një qendër komunitare për të moshuarit, e cila do të afrojë shërbime psiko-sociale, mjekësore, kulturore e argëtuese me qëllim zbutjen e problemeve të moshës së tretë. Do të synohet zbatimi i një projekti që siguron integrimin e fëmijëve jetimë në jetën shkollore. Bashkia ka iniciuar gjithashtu hapjen e një qendre për grumbullimin e veshjeve dhe mjeteve të përdorura, por të mirëmbajtura, të cilat do t’u shpërndahen familjeve të varfra në qytet. Nga ana tjetër, në vijim të kësaj strategjie sociale, Këshilli i Bashkisë Korçë këtë vit miratoi fondin prej 1 milion e 200 mijë eurosh, i cili do të vihet në dispozicion të strehimit për ndërtimin e 96 apartamenteve banimi, që do të jepen sipas kriterit “Banesa sociale me qira”, nga i cili, ndryshe nga çka ndodhur deri tani, do të përfitojnë familjet më të varfra. Ndërkaq, është vendosur të ketë kushte lehtësuese për bizneset e reja dhe për bizneset që do të hapen nga studentët e diplomuar në vitet 2007 dhe 2008.

Është folur për fenomenin e “rrjedhjes” intelektuale në qytetin tuaj dhe për largimet e qytetarëve duke krijuar një boshllëk në komunitet. Çfarë nuk shkon mirë dhe çfarë është menduar të bëhet për të zbutur fenomenin?

Në të vërtetë, deri tani, Korça ka pasur imazhin e një qyteti me rrjedhje të mëdha; biznesi në përgjithësi ka pësuar tkurrje të vazhdueshme, për shkak të largimit të qytetarëve në emigrim jashtë vendit dhe brenda vendit në qendra më të mëdha urbane, por jo vetëm kaq. Qytetit i janë larguar masivisht figura profesionistësh dhe një pjesë e mirë e klasës intelektuale, gjë që ka krijuar vërtet një boshllëk civil. Në një farë mënyre, qyteti është kërcënuar nga kjo hemorragji intelektuale dhe pikërisht kjo gjë, kurimi i psikologjisë së qytetit, është njëra nga sfidat e mëdha që kemi përpara. Për të parandaluar këtë “rrjedhje”, përveç rehabilitimit të infrastrukturës dhe programeve sociale, ne jemi përpjekur të synojmë një strategji konkurruese zhvillimi, që do t’u afronte arsye të mira qytetarëve korçarë për të punuar e jetuar në qytetin e tyre. Pjesë e kësaj strategjie është stimulimi i turizmit kulturor dhe sidomos fundjavor; gjallërimi i jetës kulturore; organizimi i aktiviteteve të ndryshme si “Festa e birrës” etj. Paralelisht jemi duke synuar studimin e mundësisë së krijimit të një universiteti amerikan në qytet, i cili do të mundësonte këtu kualifikimin perëndimor të studentëve të rinj.

Intervistoi: Artan Mullaj

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›