E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti europian, SHBA-të dhe BE-ja i premtojnë mbështetje Kosovës

Kosova e favorizuar për integrimin rajonal dhe zhvillimin ekonomik. Sot pritet letra e OKB-së për rikonfigurimin e UNMIK-ut

Kosova ka marrë mbështetjen maksimale të SHBA-ve dhe BE-së në samitin e djeshëm në Bërdo të Sllovenisë. Presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe kryeministri slloven Janez Jansha premtuan se në të ardhmen Kosova do të jetë e favorizuar për integrimin rajonal dhe zhvillimin e saj ekonomik dhe institucional. Në këtë samit u theksua se Bashkimi Europian dhe SHBA-të synojnë që të bashkëpunojnë për kompletimin e misionit EULEX në Kosovë, i cili do të mbajë përgjegjësi për sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij të plotë në gjithë territorin. Deklarata e përbashkët e presidentit Bush dhe kryeministrit Jansha përmbante edhe detyrimet e autoriteteve në Kosovë për t’u përqendruar në krijimin e një shoqërie të qëndrueshme, demokratike e shumëkombëshe dhe të mbështetin përpjekjet e NATO-s dhe OSBE-së në këtë drejtim. Ndërkohë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu sot pritet të marrë letrën e sekretarit të Pёrgjithshёm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun në lidhje me rikonfigurimin e UNMIK-ut, kanë bërë të ditur autoritetet europiane. Në raportin e tij do të pasqyrohet zvogëlimi i misionit të OKB-së në Kosovë, por mësohet se me këtë rast do të kërkohet edhe veprimi i misionit europian për Drejtësi dhe Polici, EULEX, nën mandatin e OKB-së. Sipas vendimit sekretarit të OKB-së, misioni i ardhshëm i UNMIK-ut dhe Beogradi zyrtar do të rifillojnë një lloj dialogu për të gjetur zgjidhje për një varg çështjesh përfshirë edhe ato të sistemit të drejtësisë dhe policisë, por gjithnjë me pjesëmarrjen e Prishtinës zyrtare. Burime diplomatike kanë bërë të ditur se nga një letër do t’u dërgohet edhe Prishtinës edhe Beogradit për të njoftuar ndryshimet që do të pësojnë misionet ndërkombëtare bazuar në rrethanat e krijuara, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Prishtina zyrtare është pajtuar me rolin e dyfishtë të administratave ndërkombëtare. Republika e Kosovës tashmë do të ketë edhe himnin e saj si çdo shtet tjetër. Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi bëri të ditur se himni shtetëror pritet të miratohet nga deputetët ditën e sotme në një seancë të veçantë.
Është marrë vendimi që të zhvillohen tre seanca. Seanca e rregullt do të mbahet më 19 qershor, më 16 qershor do të zhvillohet një seancë solemne ku kongresmeni i njohur amerikan Eliot Engel do t'u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës”,- u shpreh Krasniqi. Paraprakisht të gjitha grupet parlamentare janë njohur me propozimin e kompozitorit Mendi Menxhiqi, e cila është një melodi pa tekst dhe titullohet “Europa”.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›