E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e pajisjeve, mjekët e Poliklinikës si në kohën e Hipokratit



BERAT – Personeli mjekësor është kthyer si në kohën e Hipokratit, pasi nuk kanë mjete dhe kushte për t’ju shërbyer pacientëve. Alarmin e japin vetë bluzat e bardha të Poliklinikës Rajonale të Specialiteteve në qytetin e Beratit. Sipas tyre, në të mungojnë të gjitha aparaturat e domosdoshme siç janë: radioskopia, radiografia, ekoja e zemrës, fibroskopi i stomakut, laboratori kimik dhe biokimik, elektroencefalograma, biomikroskopi, spirometri për matjen e funksionit të mushkërisë. Madje edhe mjeti më elementar siç është biçikleta ergometrike. Doktori i Shkencave, mjeku neuropsikiatër Miltjadh Veveçka, gjatë një prononcimi të bërë për gazetën ka pohuar se kjo Poliklinikë, e ndërtuar në vitin 1995 dhe e rikonstrukturuar vitin e fundit, e cila deri dje konsiderohej si një nga qendrat më të mira shëndetësore në vend, ka mangësira të theksuara në pajisje ekzaminuese. Veveçka pohon se në këtë Poliklinikë, laboratori kimik e biokimik, dikur i pajisur me mikroskop, reagentë klinikë dhe të gjitha pajisjet e nevojshme për kryerjen e analizave të ndryshme, tani ka dalë jashtë funksionit; Mungon aparatura e radioskopisë, dhe kjo ka bërë që pacientët t’i drejtohen të vetmes radioskopi që funksionon në spitalin rajonal por që nuk mund të plotësojë dot nevojat e shumta. Po ashtu, aparatura e elektocefalogramës së trurit nuk funksionon që prej vitit 2003. Në listën e pajisjeve të mungojnë është edhe ekoja e zemrës. Madje edhe biçikleta për të kryer egometrinë, e cila ka funksionuar në Berat që prej vitit 1982. Mjeku neuropsikiatër Miltjadh Veveçka e quan emergjente pajisjen me aparatura të kësaj Poliklinike, e cila ofron shërbime për rreth 220 mijë banorë të qyteteve Berat, Kuçovë, Poliçan, Skrapar dhe fshatrat përreth tyre.

E. Petova

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›