Thaçi: “Kosova në BE brenda 2010-s”. Ekspertët, mosbesues
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur ambiciet e tij për ta futur vendin në Bashkimin Europian brenda vitit 2010. I cituar nga e përditshmja kosovare “Koha ditore”, Thaçi është shprehur se Kosova do të hyjë në BE brenda dy viteve. Por ekspertët thonë se ky qëllim mund të arrihet vetëm në rast se BE-ja bën mrekulli dhe ndryshon tërësisht politikën e saj drejt Ballkanit Perëndimor. “Kosova do të jetë anëtare e BE-së në 2010 vetëm në rast se ndodh një mrekulli, por mrekullitë nuk ndodhin shpesh në BE”,-është shprehur ish-kreu i zyrës së Kosovës për integrimin europian, Shenol Muharemi. Nga ana tjetër, ekspertë të tjerë thonë se arritja më e madhe për Kosovën do të jetë vetëm në rast se merr statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në fund të vitit 2008. Megjithatë, këto politika kundrejt Kosovës varen nga uniteti i shteteve anëtare të BE-së, disa prej të cilave ende nuk e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës.
11 Qershor 2008