Shpejtësia, vdes në aksident gjimnazistja
• Dita e të dashuruarve në Gjirokastër është shoqëruar me viktima. Një 18-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti automobilistik.GJIROKASTER/ PIRO NASE Shpejtësia skëterrë e automjetit që drejtohej nga miku 27-vjeçar i viktimës A.Cacaj, ka rezultuar fatale për vetë adoleshenten, e cila ka dhënë shpirt në spital nën flakët që kishin përpirë trupin e saj. Sipas dëshmitarëve të rastit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15 në të dalë të qytetit të Libohovës, rreth 4 km larg autostradës që lidh Gjirokastrën me Kakavijën, pasi çifti i të rinjve ishte duke ardhur nga një shëtitje romantike në zonën malore të këtij qyteti. Sipas një çobani që ka parë të gjithë skenën e aksidentit, automjeti tip "Mercedez-Benz" me targa të huaja, lëvizte me shpejtësi tepër të madhe dhe në momentin para se të hynte në "Urën e Lenesë" ka fluturuar në ajër deri në 20 metra në vijë horizontale. Fluturimi i mjetit luksoz ka ndodhur menjëherë sapo përshkoi një rrugë të valëzuar para hyrjes për në urë. Ky vend rreth 100 metra larg një stabilimenti të ambalazhimit të lëngjeve të frutave, ka qenë bartës i mjaft aksidenteve, por pa pasoja në njerëz. "Martin Shane, 27 vjeç nga Gjirokastra, drejtuesi i automjetit, i cili kishte pak ditë që ishte futur në territorin shqiptar, ka qenë me shpejtësi të madhe në momentin e ngjarjes", kanë pohuar ekspertët e policisë. Sipas tyre, automjeti pasi ka fluturuar në ajër është përplasur me kolektorin anësor të rrugës, duke shkatërruar të gjithë përbërjen e betontë të saj në një gjatësi deri në 30 metra. Në këtë moment, 18-vjeçarja ka dalë nga pjesa e xhamit të parmë të automjetit si pasojë e inercisë, duke e thyer atë me kokë dhe ka rënë në asfalt pa ndjenja. Automjeti pasi është rrokullisur tri herë është rrëzuar me rrota përpjetë, duke vënë nën vete nxënësen e vitit të katërt në shkollën e mesme të përgjithshme "Siri Shapllo" në Gjirokastër. Në këtë moment kalimtarë të rastit janë sulur drejt automjetit për të shpëtuar drejtuesin, ndërkohë që nuk ka mundur dot të shpëtojë adoleshentja, e bllokuar nën makinë. Pas pak sekondash, rrjedhja e benzinës nga serbatori i mjetit ka provokuar një shpërthim të madh të automjetit. Burime policore kanë bërë të ditur se, ndonëse në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia dhe zjarrfikësja, nuk kanë mundur dot të shpëtojnë nga kthetrat e vdekjes A.Cacajn, e cila ka dhënë shpirt në momentin e mbërritjes në spital, si pasojë e goditjes dhe djegies sipas mjekëve në rreth 80 për qind të trupit. Pas kryerjes së veprimeve të para, policia ka arrestuar në spital 27-vjeçarin për shkeljen e rregullave të qarkullimit me pasoja.