E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjana: Në vendin tonë nuk ka hyrë vaj i ndotur

"Në vendin tonë nuk ka hyrë vaj i ndotur me lubrifikantë as nga Greqia dhe as nga ndonjë shtet tjetër. 

Këtë dëshmojnë rezultatet e analizave, të cilat ne i dërguam në Itali për të qenë më të sigurt", këtë deklaratë bëri dje ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana. Ai konfirmoi se nga kampionët e analizuar që qarkullojnë në treg ka rezultuar se  vaji ushqimor i importuar nga Greqia në tregun shqiptar, është  konform standardeve për konsum. "U analizuan 6 lloje vaji në total 12 kampione. Të gjithë ishin brenda normave dhe standardeve", tha ministri. Kjo deklaratë e ministrit vjen pas dyshimeve të ngritura për një sasi vaji të ndotur me prejardhje nga Ukraina që qarkullonte në tregun vendas. Me anë të një  konference për shtyp Gjana theksoi se, të gjitha ushqimet (të prodhuara në vend ose të importuara) i nënshtrohen kontrollit sistematik, nga inspektorët përkatës duke siguruar kështu konsumatorët për cilësinë dhe standardet e tyre. Sipas tij, në tregun ushqimor shqiptar, nuk ka hyrë asnjë sasi vaji i ndotur, jo vetëm nga Ukraina, por nga asnjë shtet tjetër. "Në doganat shqiptare të gjitha importet ushqimore, duke përfshirë dhe vajin, i nënshtrohen kontrollit dhe analizave. Vetëm pasi garantojnë parametrat e sigurisë dhe cilësinë ushqimore, ato lejohen të hyjnë në tregun shqiptar", vijoi ministri duke garantuar konsumatorët për sigurinë e tyre. Disa javë më parë në Selanik të Greqisë u bllokuan 1182 tonë vaj luledielli i përzier me lubrifikantë, që përdoren për makina. Ishin zviceranët, të cilët dhanë alarmin pas analizave që i bënë mostrave nga kjo sasi vaji. Pas ushtrimit të kontrolleve përkatëse në depot e shoqërive që importuan vajin e rrezikshëm nga Zvicra në qytetin e Volos, u vërtetua se vaji kishte përmbajtje të lartë të dioksid, lëndë kancerogjene. Pas bllokimit të ngarkesës Ministria e Bujqësisë greke deklaroi se, dy ngarkesa me vajin e ndotur ishin transportuar drejt Shqipërisë. Njëra prej tyre me 17.3 tonë dhe tjetra me 25.7 tonë. Sipas autoriteteve greke, ato kanë hyrë në doganat tona disa ditë përpara zbulimit të skandalit. E para për llogari të kompanisë "Manos AE" dhe e dyta prej firmës "Elemfo Sa". Por ky fakt është kundërshtuar nga drejtuesit tanë të Ministrisë së Bujqësisë.

2 ngarkesa
me vaj të ndotur, njëra me 17.3 tonë dhe tjetra me 25.7 tonë u pretendua se kishte hyrë në vendin tonë. Sipas autoriteteve greke, ishin transportuar drejt doganave tona disa ditë përpara bllokimit të vajit nga Ukraina

1182 tone
vaj luledielli i përzierë me lubrifikant makinash, u bllokuan disa javë më parë në Selanik të Greqisë. Ngarkesa ishte importuar nga Ukraina. Në total bëhej fjalë për një ngarkesë 3000 tonëshe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›