Spitali i çon në shtëpi, rilidhen me zinxhirë dy motrat e sëmura
PESHKOPI - Thëllënxa e Fidane Keshi i janë rikthyer jetesës së mëparshme, asaj të vitit të kaluar kur u desh ndërhyrja e policisë që të çliroheshin nga zinxhirët e skllavërisë. Babi i tyre ishte ai që deklaroi se i kishte mbajtur të lidhura të paktën për 20 vite, ndërkohë trajtimi nga media i këtij skandali bëri që ato të merreshin nga mbrojtje nga shteti. Me shpejtësinë më të madhe ato janë marrë nga familja dhe janë dërguar në spitalin psikiatrik të Shkodrës. Strukturat shtetërore morën përsipër trajtimin e tyre, duke mos i lënë më gjatë të lidhura nga këmbët e duart me zinxhirë, sikur të ishin kafshë pune. Askush nuk mendonte se ato do t’i riktheheshin sërish jetës së mëparshme. Dje jemi bërë dëshmitarë të rikthimit të skandalit të mëparshëm. Dine Keshi, babai 70-vjeçar i dy vajzave të sëmura mendore i ka rilidhur me zinxhirë ato. I pyetur se si ndodhi që dy vajzat janë rikthyer sërish në shtëpi, Keshi sqaron se në prag të Vitit të Ri e njoftuan nga spitali i Peshkopisë se duhet të shkonte në Shkodër për të marrë dy vajzat. “U nisa dhe kur vajta në spital mbeta i habitur në ç’gjendje ishin lënë ato. I gjeta pranë derës së spitalit, të shtrira përtokë dhe pa asnjë rrobe veshur. Pa ngrohje, pa kushtet më minimale. Pyeta drejtuesit dhe mjekët e spitalit se përse më kishin kërkuar dhe ato më thanë se nuk kishte vend për qëndrimin e tyre më gjatë në këtë spital. U thashë se në fshat nuk kemi kushte për t’i mbajtur dhe se ato nuk do të pranojnë të marrin ilaçe”, sqaroi Dine Keshi. Pasi ka marrë dy vajzat nga spitali psikiatrik Keshi ka udhëtuar drejt Maqellarës, fshatit të vendlindjes së tij. Ditë më parë ka tentuar t’u sigurojë ilaçet vajzave të sëmura, por këtë nuk e ka realizuar, pasi sipas Keshit duheshin ditë për të siguruar dokumentacionin e përfitimit të barnave. Po sipas Keshit disa ditë pas kthimit vajzat janë rikthyer në “origjinën” e tyre të dhunës, duke tentuar të largohen nga shtëpia, madje dhe të dalin në tokën e shtetit fqinj, Maqedoni. “Nuk i zotërova dot dhe vendosa t’i lidh përsëri. Ndryshimi është ky: Nëse në verë i lija të lidhura në oborr tani i mbaj të lidhura në shtëpi, madje u mbyll edhe derën e shtëpisë që të mos largohen”.