Policia e Shtetit, me 297 makina të reja
TIRANE - Policia e Shtetit dje ka mbushur 97 vjet krijimi, por në vend të festës së përhershme, që këtë vit është shtyrë për shkak të përmbytjeve, drejtuesit kanë organizuar një ceremoni, ku janë shpërndarë 297 automjete të reja të blera në Hungari. Mësohet se autoveturat e reja, tip “Chevrolete”, janë blerë me fonde nga buxheti i shtetit për Policinë e Shtetit. Burimet sqaruan se këto makina do të vihen në përdorim në ditët në vazhdim, menjëherë sapo të targohen dhe të pajisen me dokumentet e nevojshme, ndërsa dje është bërë shpërndarja e tyre nëpër komisariate dhe drejtori. Mësohet se 90 autovetura u janë shpërndarë drejtorive të policisë në qarqe, ndërsa të tjerat në Tiranë. Nga 10 autovetura janë vënë në dispozicion për çdo komisariat policie në kryeqytet, e të tjerat në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe atë të Përgjithshme. Gjatë fjalës së tij në ceremoni, drejtori i Përgjithshëm, Hysni Burgaj, u shpreh se këto makina do të ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës së shërbimeve policore, në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit.