Qendra spitalore "Nënë Tereza" pa ujë të pijshëm
Spitali "Nënë Tereza" ka mbetur 24 orë pa ujë të pijshëm. Lajmin e kanë konfirmuar mjekët dhe pacientët e spitalit, të cilët të nervozuar nga kjo gjendje kanë njoftuar menjëherë strukturat përgjegjëse. Mjekët e shërbimeve kanë vendosur menjëherë në dijeni drejtorinë e spitalit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve. Por, këtë herë, ndërprerja e ujit nuk ka pasur të bëjë me koordinimin e punës nga Drejtoria e Ujësjellësit. Problemi kryesor kanë qenë defektet e krijuara gjatë punës së rikonstruksionit në këtë spital. Pa dashur janë prekur tubat kryesorë të ujit, që kanë sjellë derdhjen e tij jo në vendin e duhur. Konkretisht, uji ka munguar për rreth 24 orë në spital. Mungesa ka nisur ditën e diel dhe dje me nisjen e punës në spital stafi mjekësor është alarmuar. Mungesa e ujit në spital është një nga problemet kryesore të paralizimit të punës. Veç pjesës së higjienës, mungesa e ujit shkakton edhe shqetësime të tjera të lidhura drejtpërdrejtë me punën dhe kujdesin e pacientëve. QSUT-ja veç linjës së veçantë, ka edhe një linjë uji të quajtur "linja e dytë". Por këtë herë linja e dytë nuk e ka zgjidhur dot problemin, pasi rrjeti ka qenë i dëmtuar dhe uji nuk shkonte aty ku duhet, në çezmat e shërbimeve. Sipas Drejtorisë së Ujësjellësit, QSUT-ja është një nga strukturat e rëndësisë së veçantë dhe uji aty nuk ka munguar edhe kur Tirana ka qenë e tharë dhe ka pasur probleme me mungesat e furnizimit me ujë për ditë të tëra. Ndërsa sipas drejtorisë së QSUT-së, mungesa e ujit nuk renditet ndër problemet serioze. Defekti ka qenë i vogël dhe jo të gjitha shërbimet e kanë ndjerë mungesën e ujit. Ndërprerja ka qenë për pak kohë në disa shërbime. Mjekët kanë qenë më të alarmuar se kushdo tjetër. Sipas tyre, për një spital universitar këto probleme janë të pafalshme. Uji, energjia apo baza e dezinfektimit për një spital universitar janë çështjet më të thjeshta, të cilat nuk duhet të diskutohen as në qendrat shëndetësore, parësore. Për sa i takon rikonstruksionit të spitalit dhe ndërtimet e reja që po bëhen në qendrën "Nënë Tereza", kujdesi duhet të jetë edhe më i madh, duke qenë që godinat në këtë zonë, ashtu si dhe shëndeti i pacientëve janë të "rëndësisë së veçantë".
Temperaturat e larta, fluksi i pacientëve dhe njëkohësisht edhe mungesa e ujit e kanë rënduar gjendjen dje në spitalin universitar. Vetë pacientët kanë telefonuar në numrin e gjelbër dhe mjekët janë ankuar pranë përgjegjësve të sektorit mbështetës, teknik.
Temperaturat e larta, fluksi i pacientëve dhe njëkohësisht edhe mungesa e ujit e kanë rënduar gjendjen dje në spitalin universitar. Vetë pacientët kanë telefonuar në numrin e gjelbër dhe mjekët janë ankuar pranë përgjegjësve të sektorit mbështetës, teknik.