PS mbledh sot deputetët dhe krerët lokalë, vendimi për protestat
Partia Socialiste do të marrë sot vendimin se çfarë rruge do të ndjekë pas afatit 10-ditor që i kishte vendosur mazhorancës për të hapur kutitë e votimit të 28 qershorit. Në një takim të gjerë me deputetë dhe krerë të degëve të partisë dhe drejtuesit vendorë të PS-së, do të merret sot një vendim për vazhdimin ose jo të protestave dhe në ç’rrugë do të futet tani e tutje politikëbërja e opozitës. Burime zyrtare nga PS bënë të ditur se mbledhja është thirrur nga Rama dhe ftesa për bashkiakët dhe komunarët e PS-së është bërë për të bashkërenduar punën mes partisë dhe njësive vendore që drejtohen nga kjo parti në vazhdimin e luftës politike. Sipas këtyre burimeve, bëhet fjalë për përshkallëzim të qëndrimit të opozitës, duke përdorur si kërkesë jo më hapjen e kutive, por zgjedhje të parakohshme. Akoma nuk dihet nëse do të ketë sërish tubime e protesta në rrethe, siç ndodhi muajin që shkoi e që kulmoi me një protestë të veçantë, me ngritje çadrash kampingu para Kryeministrisë, ku disa protestues qëndruan për dy net me radhë. Është folur për një strategji të mosbindjes civile dhe nënkupton thirrjen e Ramës ndaj njerëzve që të mos u binden ligjeve dhe institucioneve të vendit. Gjithashtu, flitet dhe për mundësinë që bashkitë dhe komunat socialiste të paralizojnë shërbimet ndaj qytetarëve, një gjë kjo që do të ishte në kurriz të njerëzve. Zyrtarë të qeverisë kanë paralajmëruar se nëse ndodh diçka e tillë, qeveria do të ndëshkojë vendorët. Dje, në ditën e fundit të të ashtuquajturit ultimatum ndaj qeverisë, deputeti i PS-së, Namik Dokle, tha se PS nuk mori një përgjigje nga qeveria. “Gjuha e çoroditur dhe agresive as nuk e tremb dhe as nuk e shkurajon opozitën! Përkundrazi, i rrit edhe më shumë përgjegjësinë për fatet e vendit; i forcon vendosmërinë për të vazhduar qëndresën dhe protestat bashkë dhe në krye të gjithë atyre shqiptarëve, këtu dhe në emigracion, të majtë apo të djathtë; për të cilët liria e votës është baza e çdo lirie; e drejta e votës është çelësi i integrimit real në shoqërinë e hapur dhe demokratike!”, - tha ai.