Gjana, jemi dakord për variantet e paanshme
19/02/2005 Opozita është shprehur e gatshme të pranojë çdo variant për ndarjen e re elektorale, që do të ishte në përputhje të plotë me kriteret e miratuara në Kodin Zgjedhor. Përfaqësuesi i PD-së, Jemin Gjana, vonesat dhe mosarritjen e konsensusit ia faturon socialistëve. Sipas tij, të gjitha variantet, që do të jenë në përputhje me ligjin dhe që respektojnë një ndarje të paanshme, të gjitha variantet që bëjnë ndarjen më të mirë të mundshme, në respekt të standardeve dhe të ligjit, kanë qenë dhe janë të pranueshme për PD-në. "Ndaj, ne kemi deklaruar dhe kemi tërhequr të gjitha variantet, të gjitha propozimet tona, kontestimet tona dhe kemi mbështetur variantin e paraqitur në mënyrë të paanshme nga OSBE-ja, si zgjidhja më e mirë e mundshme. Përgjigjja për të dhënë është reagimi ndaj kësaj pakete dhe Partia Socialiste duhet të reagojë ndaj saj, jo duke paraqitur njëra pas tjetrës variantet e saj, të cilat janë variante të hartuara në mënyrë të njëanshme", tha Gjana. Sipas tij, pas përfundimit të afatit të parë, atë të 15 shkurtit, për përfundimin e ndarjes së zonave zgjedhore afati tjetër është ai i 3 marsit dhe socialistët nuk tolerojnë nga varianti i tyre për ndarjen e zonave, por javën e ardhshme grupi i ekspertëve të OSBE do të mbledhë përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike.