E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjashtë shtete bojkotojnë konferencën e OKB-së

Autori i Lajmit: red.
Disa diplomatë janë larguar nga salla ku mbahej një takim mbi racizmin, organizuar nga OKB, kur Presidenti iranian e përshkroi Izraelin si "qeveri raciste". Dy protestues me disa paruke me ngjyra, shkurtimisht ndërprenë fjalimin e Presidentit iranian. Më pas, disa delegatë perëndimorë u larguan, kur ai sulmoi shtetin izraelit. Disa nga ata që qëndruan, duartrokitën ndërsa zoti Ahmedinexhad vazhdoi fjalimin e tij. Largimi nga salla i disa diplomatëve e vë në pozitë të vështirë OKB, që kishte shpresuar që konferenca të ishte shembull i asaj për çka vlerësohet organizata, shembull për bashkim për të luftuar padrejtësitë në botë. Para fillimit të takimit, Izraeli rithirri ambasadorin nga vendi organizues, Zvicra. Izraeli po proteston pasi Presidenti zviceran u takua me homologun iranian, Mahmoud Ahmadinexhad, që merr pjesë më takim. Takimi është bojkotuar nga Izraeli dhe një numër vendesh perëndimore. Në fjalimin e tij hapës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, tha se racizmi ishte problem serioz që nuk mund të zgjidhet duke qëndruar larg konferencës. Papa Benedikti shprehu përkrahjen e tij për këtë konferencë. Ndërsa organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Ëatch, tha se ato vende që po e bojkotojnë konferencën, po iu kthenin shpinën viktimave të racizmit. Po pse ndodh përsëri që përpjekjet e OKB-së për të diskutuar çështjen e racizmit përfundojnë me debate. Eduard Mortimer ka punuar me ish-sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, në konferencën e fundit në vitin 2001. BBC e pyeti atë nëse ishte i çuditur nga vendimi i këtyre vendeve për ta bojkotuar konferencën. Mortimer tha: “Mendoj se ky është një debat që vazhdon për një kohë të gjatë, që në vitin 2001, kur u mbajt konferenca për racizmin dhe kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli u tërhoqën para se të përfundonte ajo konferencë. Në fakt, Bashkimi Evropian, që qëndroi në konferencë, bëri të mundur që dokumenti i konferencës të ndryshohej dhe pjesa më e madhe e asaj që konsiderohej nga Perëndimi si gjuhë ofenduese ndaj Izraelit u hoq. Megjithatë, kjo nuk mori publicitet të madh, kështu që, të paktën bota perëndimore besoi se konferenca e Durbanit përfundoi me një deklaratë kundër semitizmit apo kundër Izraelit, që në fakt nuk është e vërtetë. Kështu që shumë grupe kanë bërë fushatë kundër idesë për të mbajtur një konferencë për të pasuar të parën. Pra, megjithëse është zhgënjim që SHBA po e bojkoton atë, nuk është fare për t u çuditur”.
Ky lajm është publikuar: 21/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›