E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni i NATO-s, shpërthen mina në bregdetin e Vlorës

Autori i Lajmit: red.
Forcat ushtarake të NATO-s dhe ato shqiptare kanë mundur të lokalizojnë dhe më pas të shpërthejnë një minë tepër të rrezikshme detare që flinte në ujërat e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Mina detare peshonte 250 kilogramë dhe prodhimi i saj datonte mes Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Pas gjetjes forcat ushtarake të NATO-s dhe ato shqiptare shpërthyen minën në një thellësi prej 20 metrash nën ujë dhe gjithë ky operacion u cilësua tepër i suksesshëm. Shpërthimi ka ndodhur pranë zonës së Zvërnecit. Ndërkohë që nxjerrja e minës nga uji dhe transporti i saj deri në Zvërnec është kryer nën masa të larta sigurie. Në bazë të një operacioni të përbashkët që po zhvillohet mes forcave ushtarake shqiptare dhe ato hungareze të NATO-s në bregdetin e Vlorës për nxjerrjen e një sasie të madhe predhash që ndodhen në ujërat e detit Jon, është bërë e mundur heqja e një mine aktive në det.
Mina detare peshonte 250 kilogramë dhe prodhimi i saj datonte mes Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Kjo minë u gjet në vendin e quajtur Raguza, e cila ndodhej aty që prej Luftës së Dytë Botërore. Ajo paraqiste një rrezikshmëri të lartë për këtë zonë, pasi në të ndodheshin peshkarexhat e peshkatarëve të zonës.
Pas gjetjes forcat ushtarake të NATO-s dhe ato shqiptare kanë vendosur që minën ta shpërthejnë nën ujë pranë Zvërnecit pasditen e sotme. Mësohet se zgjedhja e kësaj zone për shpërthimin e minës është bërë për shkak të thellësisë së saj. Nxjerrja e minës nga uji është bërë e mundur me mjete ushtarake të specializuara dhe anija që e transportoi atë drejt Zvërnecit qëndroi 600 metra larg për arsye sigurie, pasi mina paraqiste rrezikshmëri të lartë.
Ndërkohë, në bazë të këtij operacioni që po zhvillohet në bregdetin e Vlorës, i cili ka startuar që prej ditës së martë të kësaj jave, janë gjetur edhe predha nën rërë në zonën e Ujit të Ftohtë. Për nxjerrjen e tyre pritet bllokimi ditën e nesërme i rrugës dhe tunelit për të shmangur ndonjë incident të mundshëm dhe për realizimin me sukses të këtij operacioni.
Ky lajm është publikuar: 18/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›