E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken votimet, gjashtë të vdekur

 

Qendrat e votimit janë përgjakur në Turqi, pasi gjatë procesit kanë humbur jetën të paktën gjashtë persona dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë në zona të ndryshme të vendit. Incidentet kanë ndodhur kryesisht në fshatrat e banuar nga kurdët. Tensioni ka qenë shumë i lartë dhe policia është në gatishmëri. Një kandidat për kryetarin e një fshati është vrarë në një shkëmbim zjarri mes familjeve të fraksioneve rivale në Bezirci, provincë me shumicë kurde në Sanliurfa. Nga shkëmbimi i zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 27 persona dhe janë arrestuar 15 të tjerë. Në Lice, një fshat në provincën Diyarbakir, është vrarë një tjetër kandidat nga rivali i tij, i goditu në zemër gjatë një sherri mes familjeve. Në Siginak, një fshat afër, një tjetër person u vra me armë zjarri. Nëntë persona kanë mbetur të plagosur në zona të tjera të vendit. 48 milionë njerëz në Turqi u thirrën për të votuar mbi zgjedhjet lokale. Në orën 07:00 të mëngjesit janë hapur kutitë e votimit në 32 provinca lindore dhe juglindore, që do të zgjidhnin bashkiakët, këshillat e komunave, kryetarët e fshatrave e të zonave, me kandidatë nga 21 parti, të cilët do të mbeten në detyrë për pesë vjeçarin e ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›