Gjashtë vjet burg për plagosjen e krushkut
Ka qëlluar me armë ish-vjehrrin e së motrës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e dënon me 6 vjet burg për “tentativë vrasjeje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ngjarja ka ndodhur në datën 22 dhjetor të vitit 2009, në fshatin Vjosë të Komunës Cakran, në familjen e M.L. Një konflikt i mëparshëm mes familjes së këtij të fundit me atë të Rrapush Seitajt, ka bërë që ky i fundit t’i drejtojë armën të dëmtuarit M.L., duke e qëlluar atë në anën e majtë të kokës, e duke i shkaktuar plagë të lehta. Nga provat e shqyrtuara dhe të administruara në gjykimin e kësaj çështjeje penale, u vërtetua se Rrapush Seitaj ka qëlluar me dashje mbi M.L. Ky i fundit kishte fejuar djalin e tij me motrën e të pandehurit, por mbas një muaj fejese çifti ishte divorcuar zyrtarisht. Prishja e kurorës ka krijuar përplasje mes dy familjeve, që kanë përfunduar me plagosjen e babit të ish-dhëndrit të familjes Seitaj.
#