E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lë në qeli të arrestuarin për përdhunimin e minorenes

Lushnjë Prokuroria pretendon se ka prova të mjaftueshme, por nuk i publikon

Lihet në burg 18-vjeçari Farbardh Hoxhaj, i dyshuar si autor i përdhunimit të një vajze 9 vjeçe nga fshati Ardenicë. Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura dje, pa praninë e mediave edhe të familjarëve të Hoxhës, për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme ose ndonjë reaksion negativ gjatë seancës. Të ngarkuarit për gjykimin e çështjes ishin gjyqtarja Anila Karanxha, Skënder Mestori në cilësinë e prokurorit dhe Agim Bega, avokati mbrojtës i 18-vjeçarit.

Pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve, gjyqtarja Karanxha, bazuar dhe në kërkesën e prokurorit të çështjes, Skënder Mesori, ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin e 18-vjeçarit dhe ka dhënë vendimin “arrest në burg”.

Burime të sigurta nga policia bëjnë me dije se Fatbardh Hoxhaj ka pasur shenja dhe plagë të lehta në gjunjë dhe në bërryla, për të cilat ai ka pohuar se i janë shkaktuar nga puna. Ndërkohë, dëshmitë kontradiktore të dhëna prej tij gjatë marrjes në pyetje, si dhe prova të tjera, që për shkak të hetimeve nuk bëhen të ditura, janë bërë shkak i vendimit për masën e arrestit me burg që ka dhënë Gjykata e Lushnjës ditën e premte.

Ndërkohë pritet që gjithçka të zbardhet dhe vërtetohet pas daljes së rezultateve shkencore të analizave të marra nga trupi i vajzës 9-vjeçare dhe i 18-vjeçarit të dyshuar për përdhunimin e saj. Kujtojmë se arrestimi i 18-vjeçarit erdhi pas dëshmisë së vajzës, e cila e identifikoi agresorin nga fotografia. Ajo ka pohuar se 18-vjeçari Hoxha ishte përdhunuesi i saj dhe se nuk ishte hera e parë që e shihte. Vajza ka pohuar gjithashtu se Fatbardhi kishte ngacmuar një vit më parë shoqen e saj të ngushtë dhe shpesh herë dhe atë. Edhe ditën e djeshme familjarët e Hoxhës kanë kundërshtuar arrestimin e djalit të tyre, me pretendimin se është i pafajshëm. Ata kanë protestuar përpara gjykatës dhe kanë kërkuar lirimin e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›