E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjata: Presidenti, jo negocim të vendimeve të gjykatave

Presidenti i Republikës nuk mund të negociojë për vendimet e gjykatave. Këtë pikëpamje shprehu ish-kreu i KQZ-së, juristi Çlirim Gjata. Sipas tij, vendosja e një dialogu politik mazhorancë-opozitë brenda institucionit të Parlamentit, ndonëse angazhon kreun e shtetit pas rekomandimeve të rezolutës së Këshillit të Evropës për të ulur palët në bisedime, nuk mund të shkojë përtej vendimit të gjykatave dhe dispozitave kushtetuese. Ai pohon se pjesë e negociatave me Presidentin Topi nuk mund të jetë hapja e kutive të votimit, proces ndaj të cilit gjyqësori e ka thënë fjalën e fundit. “Në qoftë se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të cenohen dispozitat kushtetuese dhe nuk negociohet për to. Dhe rasti tjetër që quhet ndryshe hapje e kutive, nuk ka vend për t'u negociuar, pasi një gjë e tillë është e zgjidhur nga Kushtetuta. E drejta e Presidentit është në nivel këshillash dhe negociata është në fazën e propozimeve dhe rekomandimeve”, - deklaroi z. Çlirim Gjata. Në argumentin e tij ligjor ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thotë se kreut të shtetit i lind e drejta t’i ulë palët në gjetjen e një zgjidhjeje politike, bazuar në nenin 86 dhe 90 të Kushtetutës, pika 1 e tyre. “Por kjo zgjedhje, - thekson ai, - duhet bërë duke mos interferuar në pushtetin e gjyqësorit. Në të kundërt kalohet në një sistem jodemokratik. “Me Kushtetutën s'mundet Parlamenti të hapë kutitë, pasi këtë gjë e bën KQZ-ja. Vetë e bënë kodin me konsensus, mua më duhet ligji. Hajde t'i hapim kutitë dhe për vendimet e tjera që ka dhënë Gjykata Kushtetuese, por do kalojmë në një sistem tjetër jo demokratik. Zgjidhja politike duhet të mbështetet mbi Kushtetutë dhe kompetencat e pushteteve të tjera. E pamë se çfarë u bë me zgjedhjet lokale të 2007-s, zgjidhjet politike bënë atë që ndodhi më pas. Le të shërbejë ky rast si precedent, duke mos bërë dëm mbi Kushtetutën”, - theksoi z. juristi Çlirim Gjata. Futja në skenën politike për një zgjidhje të situatës politike mes mazhorancës dhe opozitës erdhi pas rekomandimit që Asambleja Parlamentare e KiE-së bëri pak ditë më parë, ku përmes një rezolute i kërkoi opozitës të heqë dorë nga bojkoti, mazhorancës të ngrejë një komision hetimor parlamentar, si dhe fton Presidentin Topi si moderator të uljes në një tryezë bisedimesh të mazhorancës dhe opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›