E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Berisha: BE, ekspertë në Tiranë për njohjen e progresit

Kryeministri Sali Berisha lajmëroi dje se një grup i ri ekspertësh nga Bashkimi Evropian pritet të vijnë në Shqipëri për të monitoruar nga afër arritjet që po bën qeveria në kuadër të kërkesës shqiptare për liberalizimin e vizave me vendet evropiane. Edhe mbledhja e djeshme e Komitetit Ndërministror të Integrimit diskutoi çështjen e liberalizimit të vizave. Sipas tij, ekspertët e Komisionit Evropian të cilët pritet të vijnë se shpejti në Shqipëri, do të verifikojnë standardet për liberalizimin e vizave. Ai vuri në dukje se heqja e vizave mbetet objektiv kryesor i qeverisë së tij, ndërsa konfirmoi se pasaportat e vjetra do të hiqen nga përdorimi në janar te vitit 2011. Në këtë mbledhje, Berisha u shpreh: “Ne presim një grup të ri ekspertësh evropianë që vijnë për të inspektuar, për t’u njohur me progresin e bërë, për ta prekur në vend progresin në përmbushje të kushteve për këtë liberalizim”. Duke iu përmbajtur temës, Berisha tha: “Liberalizimi i vizave mbetet detyrë prioritare e qeverisë dhe se një progres shumë të madh ka njohur procesi i dokumenteve biometrike”. Në këtë pikë kreu i qeverisë kujtoi: “Për pasaportat e vjetra është përcaktuar viti 2011 si viti i fundit i përdorimit të këtyre pasaportave. Për të gjithë ata që aplikojnë për pasaportat e reja, u zhvleftësohet pasaporta ekzistuese”, - u shpreh Berisha. Ai theksoi më tej se janë plotësuar kërkesat për udhërrëfyesin e vizave. Kryeministri Sali Berisha rideklaroi se lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në BE pa viza është një detyrë prioritare për të gjitha ministritë. Më pas, Kryeministri u fokusua tek puna e bërë kundër krimit në vend dhe theksoi se “ka një bashkëpunim të shkëlqyer midis policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror kundër krimit”. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror, kreu i qeverisë nënvizoi edhe miratimin e ligjit për skafet që pritet të bëhet brenda këtij muaji në Kuvend.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se është bërë një punë e përditshme, e cila ka bërë të mundur të plotësohen në tërësi kërkesat e udhërrëfyesit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Në këtë kuadër, Kryeministri përmendi ngritjen e Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit; hyrjen në fuqi të ligjit të ri kundër Krimit të Organizuar; miratimi nga qeveria i projektligjit për Asistencës Sociale të Viktimave të Trafikimit; votimi i shpejtë në Parlament i ligjit për moratoriumin e skafeve. Kryeministri u shpreh se ka progres shumë të madh dhe është zgjidhur problemi i kontrollit të bazës së të dhënave kriminale për aplikuesit për pasaportat biometrike, ndërsa viti 2011 është përcaktuar si viti i fundit për përdorimin e pasaportave të vjetra, ekzistuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›