E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjata: Reforma zgjedhore jo me pazar politik

TIRANË- Përfundimi i zgjedhjeve të 8 majit nxit nevojën për hartimin e reformës zgjedhore në vend në kohë dhe jo në momentet e fundit.

Ish-kreu i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, Clirim Gjata në një intervistë për NEWS24 thotë se reforma zgjedhore duhet të përfundojë në 2012 në mënyrë që organet zgjedhore të kenë të paktën një vit kohë për t’u pëgatitur.

Gjata citon disa nga pikat thelbësore, ku duhet proceduar për hartimin e reformës zgjedhore, si reformimin e sitemit të numërimit për të eliminuar një herë e mirë tejzgjatjen e këtij procesi, por edhe situata postzgjedhore, ku procesi ankimor duhet reformuar pasi zvarrit me muaj të tërë certifikimin e zgjedhjeve.

“Reforma zgjedhore duhet të bazohet në vullnetin e mirë politik, pëer të bërë zgjedhje të mira dhe të ndershme. Ajo duhet të përqëndrohet së pari në administrimin zgjedhor, sidomos në bazë në nivelet më të ulëta, qendra votimi, grupe numërimi. KZAZ. Së dyti në cështjen e hartimit të listave. Organet që hartojnë listat ti nënshtrohen një kontrolli, në mënyrë që të mos ketë pretendime, jo kanë ardhur 7 mijë vetë, jo kanë ardhur 70 mijë vetë, gjëra të tilla të pabazuara. Sistemi i numërimit të mënyrë që të mos-zvarritet kaq gjatë. Pra mund të shtohen grupet e numërimit, mund të shtohen qëndrat e numërimit, të vijojë sic është me këtë teknologji, por që duhet të ulet zvarritja pafund e procesit. Së treti duhet përqëndrim në sistemin postzgjedhor ose sistemin ankimor. Duhet të bazohet në rregulla të qarta dhe pa mundësi interpretimesh dhe kalkulimesh pafund, ankimesh pafund. Një shembull e kishim edhe tani, por kanë qënë plot edhe në zgjedhjet e kaluara”,- u shpreh Gjata.

Ish-kreu i KQZ shprehet kundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat në këtë situatë politike sipas tij kthehen në pazare midis palëve. Madje gjata hedh idenë e hartimit të një Kushtetute të re në një kohë tjetër, kur klima politike të jetë e qetë.

“Së pari, Kushtetuta nuk mund të ndryshohet në këtë situatë politike. Në këtë situatë kaq të acaruar politike sepse do të kthehej në pazar. Nëqoftëse Kushtetuta ndrysho sic ndryshoi në 2007, që ishte thjesht një pazar i vogël për KQZ asgjë tjetër, do të ndodhë e njëjta situatë edhe sot. Absolutisht nuk duhet të pranohet të ndryshohet Kushtetuta në këtë situatë sepse është situatë shumë e rënduar politike. Nëqoftëse ka vullnet politik dhe qetësi atëherë të ulen, madje do thoja të bëjnë një Kushtetutë të re më të mirë sesa cdo dy vjet të ndryshojnë Kushtetutën”,- nënvizoi ish-kreu i KQZ, ClirimGjata.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›