E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, shqiptari braktis mjetin me 57.5 kg kanabis

JANINË- Policia greke sekuestroi rreth 57.5 kg hashash në një makinë, shoferi i së cilës u largua duke e braktisur atë.

Ngarkesa e drogës u gjet në një mjet në autostradën Janinë-Kakavijë, kur në postbllok policia ndaloi makinën që rezultonte në pronësi të një 32-vjecari shqiptar, pasi kishte informacion se në të transportohej drogë.

Shoferi i makinës nuk iu përgjigj thirrjes së policisë dhe kjo e fundit u vu në ndjekje të tij. Së fundi, shoferi e braktisi makinën në afërsi të Janinës dhe u zhduk në një zonë të pyllëzuar aty pranë.

Brenda në makinë janë gjetur dhe konfiskuar dy çanta të mëdha që përmbanin 55 pako me kanabis me peshë 57.5 kg.

U gjet gjithashtu edhe karta e kreditit dhe sende të tjera personale që i korrespondonin një 27-vjeçari shqiptar, i cili sic doli nga hetimet e policisë, ishte shoferi i makinës që u largua.

Autoritetet janë duke vazhduar hetimet për të identifikuar dhe arrestuar 27-vjeçarin.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›