E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i PD, nis zgjedhja e delegatëve

 

BLEDAR HOTI

Partia Demokratike nis përgatitjet në bazë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Pas deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha, se mbledhja e Kuvendit do të zhvillohet më 12 Dhjetor, ditën e themelimit të kësaj partie, baza ka nisur procedurat për zgjedhjen e delegatëve që do të jenë me të drejtë vote në këtë mbledhje.
 Por njëkohësisht, paralelisht me zgjedhjen e përfaqësuesve, degët humbëse të PD-së do të përfshihen sërish nga analiza për të lexuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Kuvendi Kombëtar
Burime nga PD-ja bëjnë të ditur për gazetën se në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar demokrat, kreu i qeverisë u ka kërkuar deputetëve të përqendrohen në organizimin e Kuvendit. Degët e PD-së në të gjithë vendin do të zgjedhin delegatët, të cilët do të votojnë për kryetarin e Partisë më 12 dhjetor. Sipas nenit 38 të Statutit të PD-së, Kuvendi kombëtar është organi më i lartë i partisë dhe përbëhet nga delegatët e zgjedhur nga degët, anëtarët e Këshillit Kombëtar, anëtarët e komisionit qendror të apelimit, sekretarët funksionalë të partisë, kryetarët e bashkive të kategorisë së parë dhe kryetarët e qarqeve, koordinatorët e KOP-it, si dhe një numër i kufizuar përfaqësuesish të organizatave partnere. Megjithëse sipas statutit, do të zhvillohej përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, Kuvendi i PD-së u shty për të shmangur përplasjet e mundshme brenda saj. “Kuvendi Kombëtar zgjidhet si rregull çdo katër vjet. Ai mblidhet në çdo dy vjet. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar me propozimin e Kryetarit, të Kryesisë Qendrore. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën dy muaj përpara ditës së parë të Kuvendit”, thuhet në pikën 6 të të njëjtit nen. Kuvendi do të zgjedhë me votim të fshehtë Kryetarin e Partisë, që edhe këtë radhë do të jetë Sali Berisha, si dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar.
Analiza
Por përveç zgjedhjes së delegatëve, Partia Demokratike do të zhvillojë një analizë në degët humbëse në zgjedhjet e 28 qershorit. Kështu përveç qytetit të Tiranës, forca më e madhe e maxhorancës rezulton të ketë humbur edhe në disa qytete të tjera. Konkretisht PD-ja ka humbur në Berat me rreth 3 mijë vota më pak se Partia Socialiste, në Elbasan me rreth 1900 vota më pak, në Fier me 8000 mijë vota më pak, në Korçë me rreth 3400 vota më pak dhe në Vlorë me rreth 8900 vota më pak. Megjithëse analiza në këto degë nuk ndikon në zgjedhjet e kryetarëve të tyre, për shkak se zgjedhjet kanë vetëm pak muaj që janë bërë, ajo ndërmerret për të shmangur një tjetër humbje në këto bashki të mëdha, në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen pas dy vitesh. Përveç këtyre degëve humbëse, Partia Demokratike ka fituar në qytetin e Durrësit me rreth 1200 vota më shumë dhe në Shkodër me rreth 11 mijë vota më shumë.

Berisha: Kuvendi më 12 Dhjetor
Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur dy ditë më parë gjatë emisionit “Ora e debatit” në TV Ora News, se Kuvendi i radhës i Partisë Demokratike do të mblidhet ditën e themelimit të kësaj partie. “Kongresi i radhës do të zhvillohet në datën 12 Dhjetor. Do t’i propozoj kryesisë ditën e themelimit të Partisë Demokratike të mbledhim edhe kongresin, të festojmë edhe përvjetorin e themelimit të saj. Do të jetë një ngjarje e madhe shumë”, theksoi kreu i qeverisë. Kuvendi i demokratëve do të zgjedhë kryetarin e partisë për katër vitet e ardhshme, si dhe do të ndërmarrë disa ndryshime në statut, të cilat vijnë si pasojë e riorganizimit të degëve të kësaj partie, pas ndryshimit të sistemit zgjedhor përpara zgjedhjeve të 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›