Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 60 vjetorit të krijimit të Batalionit të Bërzeshtës. Në këtë ceremoni, Kryeministri u shpreh: â
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 60 vjetorit të krijimit të Batalionit të Bërzeshtës.
Në këtë ceremoni, Kryeministri u shpreh:
"Të dashur motra dhe vëllezër,
Jemi sot për të festuar së bashku këtë përvjetor të Batalionit të Bërzeshtës, kontributi i së cilës ka qenë i çmuar në Koalicionin Antifashit të Luftës së Dytë Botërore. Nderimi i këtij formacioni që po bëjmë sot, është njëkohësisht nderim për të gjithë shqiptarët të cilët kanë ditur që me largpamësi dhe orientim të qartë të rreshtohen përkrah forcave progresiste në të gjithë kohërat. Kjo dëshmon vitalitetin dhe dëshirën e madhe të popullit të Bërzeshtës dhe të gjithë Shqipërisë për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të lirë dhe të zhvilluar.
Një nderim i posaçëm u takon edhe dëshmorëve të Bërzeshtës që u rrjeshtuan përkrah Rreshit Collakut, në luftë kundër pushtuesve. Unë besoj se dëshira e tyre për një shoqëri të lirë, progresiste dhe demokratike, pavarësisht zigzakeve, u realizua. Gjithashtu një nderim i vecantë në këtë përvjetor u takon edhe drejtuesve të kësaj brigade, intelektualëve të shquar Sami Leka si dhe profesor Dhimitër Shuteriqi. Ky i fundit ishte një nga themeluesit e letërsisë, publiçistikës dhe shkencave humane në Shqipëri, por fatkeqësisht u nda nga jeta pak ditë më parë, pa mundur të mbërrijë në këtë përvjetor të 60-të.
Historia shqiptare e ka evidentuar popullin e kësaj krahine për shpirtin e madh dhe për vitalitetin që ka. Nga gjiri juaj kanë dalë patriotë të shquar të Shqipërisë si Halit Bërzheshta, Ibrahim Muca, Ibrahim Blloshmi etj. Nuk është e rastit që këta personalitete të dalë nga kjo trevë, sepse Bërzeshta njihet në historinë tonë si vendi ku u hap shkolla e parë shqipe pas Normales së Elbasanit.
Ky kontribut i shquar dhe përfaqësues i popullit të Bërzheshtës është i vlerësuar edhe në këto vite të tranzicionit që kaluam. Ju e shihni se në këto komunë si dhe në ato përreth përfaqësuesit tuaj që keni zgjedhur kanë bërë dhe po bëjnë detyrën e tyre për garantimin e një jete më të mirë. Kjo është pjesë e realizimeve të programit ambicioz të qeverisë sonë për një zhvillim harmonik dhe të qëndrueshëm të të gjithë vendit. Jam i lumtur të konstatoj se investimet e bëra në ndërtimin e Shkollës së re tetëvjeçare si dhe në infrastrukturë, rrugë dhe ura të cilat siç e dini janë planifikuar të shtohen edhe më, janë të konsiderueshme dhe janë plotësim i dëshirës suaj për zhvillim. Ne e dimë se ju keni ende shumë probleme për të përballuar, sepse tranzicioni ynë ka qënë i vështirë, por qeveria, me masat e reja reformuese të decentralizimit të pushtetit, në bashkëpunim me përfaqësuesit tuaj legjitimë në strukturat më të larta të shtetit, është seriozisht e angazhuar që ta shkurtojë rrugën tuaj drejt një jete të niveleve europiane.
Ne besojmë se vetëm në këtë mënyrë do të përmbushim edhe ëndrrën tuaj të pastër që ju mblodhi këtu gjashtëdhjetë vjet më parë për të themeluar Batalionin partizan të progresit.
E gëzofshi festën!