E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi shkencor i NATO-s, tashmë përfiton edhe Shqipëria



Me hyrjen e Shqipërisë në NATO, edhe arsimi shqiptar tashmë bëhet pjesë e programit shkencor të saj, që ofron mbështetje për bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet shkencëtarëve nga vendet e Këshillit të Partneritetit Euro-Atlantik (EAPC). Mbështetja për bashkëpunim, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, po kanalizohet nëpërmjet një sërë mekanizmash, ose aktivitetesh që janë perceptuar për të krijuar lidhje midis kërkuesve në vende të ndryshme dhe stimuluar bashkëpunimin, ç’ka është esenciale në progresin e shkencës, me objektiv, kontribuimin për paqe dhe stabilitet në përgjithësi. Fokusi kryesor i Programit Shkencor të NATO-s është shkëlqimi në shkencë, pasi vetë programi synon të bashkojë shkencëtarë nga vende të ndryshme për të zhvilluar një aktivitet shkencor të nivelit të lartë. MASH bënë të ditur se ky program ndahet në 4 nënprograme, të cilat kanë lidhje me shkencën, teknologjinë, mbështetjen në infrastrukturën kërkimore dhe shkencën për paqen. Objektivat e Programit Shkencor të NATO-s synojnë nxitjen e ndërveprimit dhe midis shkencëtarëve të vendeve të Këshillit të Partneritetit Euro-Atlantik, qëndrueshmërinë e komuniteteve shkencore, duke shtuar lidhjet me komunitetin shkencor ndërkombëtar dhe përparimin e shkencës në vendet partnere dhe në vendet e NATO-s. Sipas MASH, me përjashtim të një numri bashkëpunimesh për shkencën, Programi Shkencor i NATO-s tani i dedikohet bashkëpunimit midis shkencëtarëve në vendet partnere dhe shkencëtareve të vendeve të NATO-s. Aplikime për bashkëpunim vetëm midis shkencëtareve të vendeve të NATO-s nuk mbështeten më. Nga ky akses, Shqipëria përfiton në një sërë fushash. Instituti i Studimeve të Avancuara (ASI) janë kurse trajnimi me pjesëmarrje të balancuar të shkencëtareve të vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere. Po kështu edhe drejtimi i ASI-ve bëhet në bashkëpunim. Workshop-et e Kërkimit të Avancuar (ARWs) janë takime 4-5 ditore që shërbejnë për të këmbyer informacion dhe rekomandime praktike. ARW-të mbahen në vendet partnere ose në vendet e NATO-s me pjesëmarrje të balancuar midis shkencëtarëve respektivë. Ato drejtohen në bashkëpunim nga një shkencëtar i një vendi të NATO-s dhe nga një shkencëtar i një vendi partner. Grantet e Kërkimit Bashkëpunues (CRGs) mbështesin udhëtimin dhe diçka shtesë për të mundësuar bashkëpunimin midis shkencëtarëve partnerë dhe NATO-s për një periudhë njëvjeçare, me mundësi rinovimi. Grante të Lidhjeve dhe Bashkëpunimit (CLGs) sigurojnë udhëtimin, mbështetje shtesë dhe sasi të limituara pajisjesh me qëllim mundësimin e bashkëpunimit midis grupeve kërkimore të vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere. Këto grante jepen për një periudhë fillestare prej dy vjetësh. Vizita të Eksperteve (EVs) sigurojnë udhëtimin dhe mbështetje shtesë për të mundësuar konsulta të shkencëtarëve të NATO-s në vendet partnere dhe anasjelltas. Grante të Infrastrukturës Kompjuterike (NIGs) sigurojnë asistencë për shkencëtarë të vendeve partnere për të përmirësuar cilësinë dhe kohëzgjatjen e rrjeteve kompjuterike në një zonë gjeografike. Për të gjithë mekanizmat e këtij programi, financimi do të administrohet nga drejtorët e NATO-s të vendit ku zhvillohet aktiviteti, pasi janë përgjegjës për shpërndarjen e fondeve dhe dorëzimin e raporteve administrative në Divizionin e Punëve Shkencore dhe Mjedisore.

Përmirësohet moti, rriten temperaturat

Sot moti do të jetë me alternime kthjellimesh e vranësira të ndërrueshme, mesatare dhe të dendura. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur dje se gjatë ditës së hënë "vendi ynë do të ndikohet nga periferia e presionit atmosferik të lartë, me tendencë zbritje graduale. Në qarkullim janë masa ajrore relativisht të paqëndrueshme dhe të ngrohta". Ndërsa në verilindje do të ketë mjegull. Në zonën veriore moti do të jetë kryesisht me kthjellime e vranësirë të ndërrueshme, në zonën qendrore moti pritet të jetë me alternime kthjellimesh e vranësirë mesatare deri në të dendur, ndërsa në zonën jugore me alternime kthjellimesh e vranësirë të çrregullt. Era do të fryjë në drejtimin Juglindje–Jugperëndim me shpejtësi deri në 8 m/sek. Valëzimi në bregdet do të jetë deri 4 ballë. Temperaturat më të ulëta dhe më të larta në zonat malore do të variojnë nga 6 në 19 gradë, në zonat e ulëta nga 7 në 23 gradë dhe në zonat bregdetare nga 12 në 22 gradë celsius.

Fier

Seminar për përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje

Zhvillimi i mendimin kritik të të rinjve, aftësimi i tyre për të sjellë një mënyrë të re debati dhe komunikimi, ishte në qendër të një takimi-debat, organizuar nga qendra rinore “Epoka e Re", në mjediset e bibliotekës publike në qytetin e Fierit. Nxënës nga 6 shkolla të mesme të qytetit, të ndarë në 12 grupe zgjodhën si temë debati "Vendosja e sistemit të kuotave për pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje", si një temë, e cila familjarizon të rinjtë me ndryshimet e bëra së fundmi në Kodin Zgjedhor. Sipas drejtoreshës së qendrës rinore “Epoka e Re”, Nevila Jahjaj, aktivitete të tilla kanë si qëllim kryesor, zhvillimin e mendimin kritik tek të rinjtë dhe edukimin e tyre me një mënyrë të re komunikimi. “Ne synojmë një tjetër alternativë për të rinjtë e sotëm, që t'i aftësojmë ata për të vlerësuar dhe respektuar mendimin kundër”, - shtoi Jahjaj. Aktivitete të tilla do të shtrihen edhe më tej, duke përfshirë një numër më të madh të rinjsh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›