E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjeloshi qëllon me kallash në Allias

03/06/2005  Nuk ka të plagosur. Sherri ndodhi mes Filip Gjeloshit nga Lekbibaj i Tropojës e Kujtim Përshpalit

TIRANË- Filip Gjeloshi, tropojani 32-vjeçar, i arrestuar e liruar disa herë, mik i Zani Çaushit, qëllon me kallashnikov në derën e një banese në Allias dhe largohet me makinën e tij. Ngjarja, sipas burimeve policore, ka ndodhur rreth orës 14.00 të ditës së djeshme në Allias, kur Gjeloshi ka hapur zjarr në banesën e Kujtim Përshpalit e më pas është larguar. Policia e ka ndjekur për gjithë pasditen dhe në orët e vona të natës, pa mundur ta vërë në pranga. Operacioni vështirësohet, pasi burimet e Komisariatit numër 4 thanë për gazetën "Metropol", se ai lëviz me dy makina të ndryshme, një “Benz” dhe një BMV, me targa të huaja.

Shkaqet

Sipas burimeve të Komisariatit numër 4, rrethanat që çuan në një veprim të tillë të Gjeloshit, nga Lekbibaj i Tropojës e banues në Paskuqan, janë të hershme. Ai, sipas policisë, ka pasur një grindje me Kujtim Përshpalin, pranë tregut të madh, te Medreseja, ndërkohë që çështja ishte mbyllur ndërmjet palëve. Madje të afërm të Përshpalit u kanë thënë inspektorëve të krimeve në këtë komisariat, se sherri ishte mbyllur dhe nuk kishte shkaqe për acarim të mëtejshëm.

Ngjarja

Të shtënat në ajër u dëgjuan rreth orës 14.00, në Allias. Policia që shkoi në vendngjarje gjeti pjesëtarët e familjes, të cilët ishin të traumatizuar, ndërsa nuk kishte asnjë të plagosur. Mësohet se Përshpali ka pësuar disa gërvishtje të lehta, pa asnjë rrezik. Uniformat blu ende vazhdojnë aksionin për kapjen e tij dhe targat e dy makinave që ai disponon, “Benzit” dhe BMV-së me targa të huaja, janë shpërndarë në të gjitha pikat hyrëse e dalëse të qytetit.

Filip Gjeloshi

Ai u shpall i pafajshëm më 4 maj të këtij viti, teksa akuzohej për tentativë për vrasje të komshiut të tij, Shpëtim Beqiri. Midis Gjeloshit dhe Zanit, miqësia u lidh në kohën e vuajtjes së dënimit. Madje, gjatë kohës kur Filip Gjeloshi ishte duke vuajtur dënimin në Burgun 302, u plagos me thikë nga shoku i ngushtë i Gazmend Brakës, Eduard Ymeri. Më pas këtë vepër e mori përsipër në gjykatë vetë Gaxhai, duke mos dashur të implikojë bashkëvuajtësin e tij. Zani u arrestua nga forcat speciale më 30 shtator 1997, pas trazirave të marsit të atij viti. Gjeloshi, 32-vjeçari nga Lekbibaj i Tropojës, ka banuar prej vitesh në Tiranë. Edhe pas arrestimit të tij, forcat e antiterrorit e kanë pyetur për një atentat që mund t'i bëhej prokurorit Etjen Kapo, i cili është marrë me hetimet. Ka qenë i pranishëm në disa seanca gjyqësore, por nuk e ka pranuar akuzën. Ka qenë i dënuar më parë për një vrasje të kryer në vitin 1997 në fshatin e tij të lindjes Lekbibaj. Doli nga burgu në trazirat e vitit 1997 dhe më pas u vetëdorëzua për të fituar lehtësira.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›