Kthehet nga Italia "e zhdukura", denoncon tutorin
03/06/2005 TIRANË- Vetëm një ditë pasi u riatdhesua nga Italia, vajza 19-vjeçare nga Tirana me inicialet S.E., denoncon Dashamir Topallin, 33 vjeç, nga Kruja, si tutorin e saj. Në denoncimin e vajzës përmendet fakti që u detyrua nga Topalli të punonte si prostitutë në Milano e Romë për dy vjet me radhë. Burimet policore bëjnë të ditur se vajza ishte denoncuar si e zhdukur nga prindërit e saj në shtator të këtij viti. Në kallëzimin penal të prindërve, sipas burimeve policore, përmendej fakti se djali që e rrëmbeu kishte synime serioze dhe ishte paraqitur në rrugë të tërthorta, ku kërkoi dorën e vajzës për martesë. Pas kundërshtimeve, vajza largohet nga shtëpia pa pyetur asnjeri dhe përfundon në Itali, ku, sipas policisë, shrytëzohet si prostitutë. Me të gjetur rastin, disa javë më parë, ajo shkon në një postë policie në Romë dhe denoncon tutorin dhe rrjetin e trafikantëve. Policia italiane e fut në një kamp rehabilitimi dhe me rrugën e parë e sjell me traget në Durrës. Burimet e policisë thanë se, pasi gjeti prindërit e saj, S.E. bëri denoncimin për Dashamir Topallin. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës thuhet se, "nga specialistët e seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve, është arrestuar në flagrancë Dashamir Topalli, 33 vjeç, lindur e banues në fshatin Tapizë të Krujës. Arrestimi i tij u krye pasi ndaj tij ka informacione dhe kallëzime se ka shfrytëzuar për dy vjet një shtetase, vepër penale e ‘trafikimit të femrave’, e parashikuar nga neni 114 b i Kodit Penal". Sakaq është vënë në pranga tutori dhe po ballafaqohen të gjitha faktet edhe me prokurorinë, për të vërtetuar të gjitha akuzat që janë ngritur në ngarkim të Dashamir Topallit.