Kryeprokurorët e Evropës, takim në Budapest për krimin e organizuar
03/06/2005 Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ka qenë pjesëmarrës në sesionin e gjashtë të Konferencës së Prokurorëve të Përgjithshëm të Evropës, e organizuar nga Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme të Hungarisë. Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, thanë dje se “konferenca është mbajtur gjatë dy ditëve të fundit në kryeqytetin e Hungarisë, në Budapest”. Burimet pohuan se në konferencën e përvitshme u inkuadruan të gjithë Prokurorët e Përgjithshëm të Evropës, si edhe prokurorë të prokurorive ndërkombëtare. Nga temat e diskutuara gjatë kësaj konference, mësohet të kenë qenë ato të marrëdhënieve midis Prokurorisë e Policisë dhe funksionet e Prokurorit jashtë procedimit penal. Gjithashtu janë diskutuar edhe disa udhëzime rreth etikës dhe veprimtarisë së prokurorëve. Sipas burimeve, në qendër të mbledhjes kanë qenë problemet e gjyqësorit në kontinentin evropian, marrëdhëniet me policinë dhe rolin e akuzës qendrore në luftën kundër krimit të organizuar. Gjatë kësaj konference, Kryeprokurori Sollaku ka kryer edhe takime të ndërsjellta me prokurorë të përgjithshëm të vendeve të partneritetit të veçantë, përfundojnë burimet.