Oficerja e Ministrisë së Mbrojtjes vjedh 500 euro
03/06/2005 TIRANË- "Jam kryetare e shoqatës së ushtarakëve. Më jep 500 euro se do blejmë një makinë të re për shoqatën". Këto fjalë i ka thënë Mamica Kastrioti një punonjësi të Ministrisë së Rendit dhe njëkohësisht anëtar i kësaj shoqate, duke e mashtruar. Më pas, i mashtruari ka denoncuar në Policinë e Tiranës se, kjo e fundit i ka vënë prangat oficeres së Ministrisë së Mbrojtjes. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilat thanë se, Mamica Kastrioti, lindur e banuese në Tiranë, është shoqëruar në polici nga ekspertët e Antikrimit Ekonomiko-Financiar. Policia e paraqet këtë shtetase si kryetare të vërtetë të shoqatës së ushtarakëve, ndërsa pas disa verifikimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, ka rezultuar një fakt tjetër. Të pyetur nga gazeta, disa nga punonjësit e kësaj ministrie thanë se kryetari i vërtetë i kësaj shoqate është një person i quajtur Zyhdi Kroi. Ndërsa të gjithë e njihnin Mamicën, një vajzë e re, e cila, sipas punonjësve vjen përditë në ministri dhe shpërndan ftesa për shoqatën e re që ka krijuar. Punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, thanë se ajo më parë ka qenë oficere, ndërsa tani mban gradën e kapteres. Ajo akuzohet për vjedhje me anë të mashtrimit, sipas denoncimit të bërë në polici nga një anëtar i shoqatës, që pretendon se i ka marrë 500 euro, të cilat më pas nuk ia ka kthyer. Ndërkohë burimet zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se, Kastrioti ka vjedhur një vit më parë me anë të mashtrimit, duke u paraqitur si kryetare e shoqatës së policisë së rënë në krye të detyrës. Tashmë, ajo ndodhet në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.