E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjeloshi strehohet në Shkodër

06/06/2005  Filip Gjeloshi qëlloi me kallash, një javë më parë në Allias

TIRANË- Filip Gjeloshi, tropojani 32-vjeçar, i arrestuar e liruar disa herë, mik i Zani Çaushit, i cili qëlloi me kallashnikov në derën e një banese në Allias rreth një javë më parë, strehohet në Shkodër. Ky është dyshimi i fundit i ekspertëve të kriminalistikës të komisariatit numër 4, të cilët kanë përcjellë të dhënat në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, pas disa informacioneve që dispononin rreth vendndodhjes së tij. Lajmi bëhet i ditur nga burime jozyrtare të policisë, të cilat nuk kanë përjashtuar pistën se Gjeloshi, mund të ndodhet në kryeqytet. Kërkimet për arrestimin e tij, janë shtrirë në të gjithë vendin.

Ngjarja

Ngjarja, sipas burimeve policore, ka ndodhur në Allias, kur Gjeloshi ka hapur zjarr në banesën e Kujtim Përshpalit e më pas, është larguar. Policia e ka ndjekur për gjithë pasditen, dhe në orët e vona të natës, pa mundur ta vërë në pranga. Operacioni vështirësohet, pasi burimet e Komisariatit numër 4, thanë për gazetën "Metropol", se ai lëviz me dy makina të ndryshme, një “Benz” dhe një BMV, me targa të huaja. Sipas burimeve të Komisariatit numër 4, rrethanat që çuan në një veprim të tillë të Gjeloshit, nga Lekbibaj i Tropojës e banues në Paskuqan, janë të hershme. Ai, sipas policisë, ka pasur një grindje me Kujtim Përshpalin, pranë tregut të madh, te Medreseja, ndërkohë që çështja ishte mbyllur ndërmjet palëve. Madje të afërm të Përshpalit, u kanë thënë inspektorëve të krimeve në këtë komisariat, se sherri ishte mbyllur dhe nuk kishte shkaqe për acarim të mëtejshëm.

Gjeloshi

Ai u shpall i pafajshëm më 4 maj të këtij viti, teksa akuzohej për tentativë për vrasje të komshiut të tij, Shpëtim Beqiri. Midis Gjeloshit dhe Zanit, miqësia u lidh në kohën e vuajtjes së dënimit. Madje, gjatë kohës kur Filip Gjeloshi ishte duke vuajtur dënimin në Burgun 302, u plagos me thikë nga shoku i ngushtë i Gazmend Brakës, Eduard Ymeri. Më pas, këtë vepër e mori përsipër në gjykatë vetë Gaxhai, duke mos dashur të implikojë bashkëvuajtësin e tij. Zani u arrestua nga forcat speciale më 30 shtator 1997, pas trazirave të marsit të atij viti. Gjeloshi, 32-vjeçari nga Lekbibaj i Tropojës, ka banuar prej vitesh në Tiranë. Ka qenë i pranishëm në disa seanca gjyqësore, por nuk e ka pranuar akuzën. Ka qenë i dënuar më parë për një vrasje të kryer në vitin 1997 në fshatin e tij të lindjes, Lekbibaj. Doli nga burgu në trazirat e vitit 1997, dhe më pas, u vetëdorëzua për të fituar lehtësira.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›