E Hënë, 2 Nëntor 2026

I jep benzit indietro, aksidenton tre gra në Tiranë

06/06/2005  TIRANË- Aksidentohet rëndë nëna 51-vjeçare dhe dy vajzat e saj. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin "Zogu i Parë", kur Shega Serjani dhe bijat e saj, janë përplasur nga një 21-vjeçar që po i jepte makinës së tij me marsh indietro. Ndërkaq, punonjësit e Komisariatit të Policisë Rrugore, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Lorenc Ndou, 21-vjeç, lindur e banues në Tiranë. Sipas këtyre burimeve policore, ky shtetas në bulevardin "Zogu i Parë", duke lëvizur me mjetin tip "Benz" me targa TR 7461 B, ka ecur indietro, pa kontrolluar rrugën dhe si pasojë e kësaj lëvizjeje të gabuar, ka aksidentuar rëndë shtetaset Shega Serjani, 51-vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin Ushtarak, në rrezik për jetën, si dhe dy vajzat e saj, të cilat ndodhen në të njëjtin spital dhe po kurohen nga mjekët. Në vendngjarje janë kryer të gjitha veprimet procedurialo-hetimore, vepër penale e parashikuar nga neni 290 te Kodit Penal, ndërkohë që të gjitha materialet i kaluan Prokurorisë. Aksidentet e javës që lamë pas, shkaktuan disa të vdekur, ndërsa nga ana tjetër, në një mbledhje të detyruar, krerët e policisë kanë dhënë direktivat e duhura për parandalimin e tyre. Madje ky fenomen shqetësues solli edhe shkarkimin e kryekomisarit Artan Didi, i cili u cilësua përgjegjës për përplasjet e shumta të mjeteve në rrugë.

M.Mullai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›