E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtroi me 147 mijë USD, akuzë ndërtuesit

 

TIRANE – Policia e kryeqytetit pohoi dje se ka dërguar në Prokurori materialet në ngarkim të një 55-vjeçari të akuzuar për “mashtrim” në shuma të mëdha. Me anë të një njoftimi zyrtar, Policia e Tiranës pohonte dje se efektivët e seksionit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar dërguan materialet në Prokurori për veprën penale të “mashtrimit”, në ngarkim të shtetasit F. Rexho, 55 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë, kjo vepër penale parashikohet nga neni 143 i Kodit Penal. Duke dhënë detaje për këtë çështje, policia pohon se ndaj të akuzuarit është depozituar një kallëzim penal, sepse dyshohet se i ka marrë një shtetasi një shumë prej rreth 147 mijë dollarësh amerikanë në vitin 2004. Këtë shumë, sipas policisë, Rexho nuk e ka kthyer me pretendimin se do kryente një ndërtim në zonën e rrugës së Elbasanit. Pasi kanë kaluar disa kohë dhe personi që kishte paguar paratë nuk kishte arritur të merrte sipërfaqen e porositur në ndërtim, i është drejtuar policisë ku ka depozituar kallëzim penal. Pas kësaj janë kryer hetime nga specialistët kundër krimit ekonomik, të cilët pohojnë se kanë mbledhur fakte të mjaftueshme për të provuar pretendimet e paditësit. Në bazë të këtyre policia pohon se ka dërguar në prokurori dokumentet në ngarkim të biznesmenit, institucion të cilit tashmë i duhet të vazhdojë procedurat e mëtejshme në ngarkim të tij. Në nenin 143 të Kodit Penal thuhet se: “Vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”. Ende nuk dihet qëndrimi që ka mbajtur biznesmeni përballë akuzës, ndërsa pritet që të pyetet në Prokurori në lidhje me këtë vepër për të cilën dyshohet. Sipas policisë, pohohet se i dëmtuari e ka paguar shumën në disa këste, ndërsa i akuzuari i ka pohuar herë pas here se në këmbim të pagesave do i jepte sipërfaqen sipas porosisë së bërë nga ai. Po kështu policia nuk jep detaje të tjera në lidhje me çështjen, e cila pritet të zgjidhet në rrugë gjyqësore midis biznesmenit të akuzuar dhe të dëmtuarit që ka depozituar kallëzimin penal në polici.                                   f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›