Arrestohet një nga të dyshuarit për vrasjen e adoleshentit
Elvis Meta, 24 vjeç, u arrestua dje në mëngjes nga policia në afërsi të Bregut të Lumit
TIRANË - Një ditë pas vrasjes me thikë të Jeton Ferhatit, është arrestuar njëri nga vëllezërit e shpallur në kërkim, si i dyshuar kryesor për vrasjen e 18- vjeçarit. Elvis Meta me banim në Tiranë, është arrestuar nga Policia e kryeqytetit gjatë paradites së të enjtes në zonën e quajtur "Bregu i Lumit", në Tiranë.
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, ku thuhet se për kapjen e 24- vjeçarit Meta, janë aktivizuar forca të shumta policie dhe nëpërmjet një operacioni është bërë i mundur arrestimi i tij në një banesë të braktisur në lagjen e quajtur "Bregu i Lumit", në periferi të kryeqytetit. Sipas të dhënave midis Policisë dhe autorit të dyshuar si autor i vrasjes së adoleshentit nga Bathorja, ka patur negociata për dorëzimin e dy vëllezërve.
Ndërkohë, vëllai i të arrestuarit që sipas Policisë është i implikuar në vrasjen e djeshme në Laprakë është akoma në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen e tij. Oficerët e zyrës së vrasjes në Policinë e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, bënë të mundur që dje identifikimin e dy autorëve që dyshohen se goditën me thikë në kryqëzimin e Laprakës, Jeton Ferhatin me banim në Bathore të Tiranës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Sipas burimeve policore, nga dëshmitë e marrë të dëshmitarëve që kanë parë ngjarjen si dhe nga informacionet për vendndodhjen e të kërkuarit, është bërë i mundur arrestimi në një shtëpi të braktisur në Bregun e Lumit, duke mos bërë rezistencë ndaj forcave të Policisë.
Grupi hetimor që u ngrit dje për ngjarjen ka arritur që të sqarojë rrethanat dhe motivet e ngjarjes së rëndë, ku është arritur në përfundimin se i arrestuari dyshohet të ketë goditur me thikë gjimnazistin, i cili gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak nga goditjet me thikë që kishte marrë në zemër dhe në brinjë.
Ndaj të arrestuarit rëndon akuza e vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim. Jeton Ferhati, 18 vjeç, banues në Bathore, mbeti vdekur pas dy goditjeve që mori me thikë nga 24- vjeçari i arrestuar Ervis Meta. Ngjarja e rëndë ndodhi dje paradite rreth orës 11:30, në rrugën e Durrësit, pranë pallateve "Havai", pasi u qëllua dy herë me thikë.