Prezantohej si polic, arrestohet hajduti mashtrues
Qoli hetohej nga SHKB-ja dhe gjithë komisariatet e policisë së Tiranës për krimin e vjedhjes dhe përvetësimit të titullit
Policia arriti ta kapte, pas një vjedhjeje në spital, njeriun e cilësuar si "ekzemplar" pasi akuzohet për më tepër se 30 vjedhje
TIRANE- "Jam oficer policie duhet t'ju bëj një kontroll pasi dyshoj se keni kryer një vjedhje,- apo: paratë tuaja janë false për këtë duhet t'ju arrestoj".
Kjo ishte formula e mashtrimt që përdorte Genci Qoli, 36 vjeç, nga Laçi, ndaj qytetarëve të ndryshëm shumica e të cilëve, njerëz të pambrojtur, apo udhëtarë të ndryshëm nga rrethet që mbërrinin në Tiranë për të kryer halle apo probleme të ndryshme të tyre.
Duke iu prezantuar si polic, ai iu bënte presion atyre duke i detyruar t'iu jepnin gjithë ç' kishin. Kjo skemë ka funksionuar së paku më prej tepër se 5 muajsh nga i arrestuari që dje ka pasur statusin e VIP-it, për policinë e Tiranës.
Kështu ndodhi edhe dje në mesditë, kur 36- vjeçari nga Laçi, ka "zënë për fyti" një burrë rreth 55 vjeç, banues në fshatrat e Tiranës ndërsa ndodhej pranë spitalit nr.2, për t'u mjekuar për shkak të një plage në këmbë.
Kur ai është vënë në pranga nga oficerët dhe agjentët e seksionit të hetimit të krimeve ndaj pronës së komisariatit nr.4, kolegët e tyre nga të gjithë komisariatet e tjerë janë dyndur atje, me foto të të dyshuarit në duar si dhe me pamje filmike të marra nga kamerat e sigurisë së objekteve të ndryshme.
Madje nuk ka mbetur pas as SHKB-ja që hetonte për hesap të saj kallëzimet e rreth 6 personave të dëmtuar në emër të policisë nga i dëmtuari. Mesditën e djeshme, ai si zakonisht gjeti një burrë rreth të 55- ve, i sëmurë që ndodhej në oborrin e spitalit nr.2.
ndërsa i është prezantuar sipas formulës i ka pohuar se dyshohej për një krim, ndërsa i ka kërkuar t'i dorëzonte ç'kishte me vete. Sapo ka marrë nga burri 22 mijë lekë të reja që burri mbante me vete dhe një telefon "Nokia" polici i rremë, është larguar me shpejtësi nëpër rrugicat e spitalit.
Skena është parë nga një agjent i krimeve ndaj pronës së komisariatit nr.4, i cili i është vënë pas, ndërsa ka arritur ta ndalojë së bashku me disa kolegë të tij ndërsa tentonte të largohej përmes mureve të banesave pranë shkollës së bashkuar.
Por historitë e mashtrimit nuk kanë përfunduar këtu, pasi i arrestuari sapo ka shkuar në komisariat, është hequr sikur ishte i sëmurë dhe se nuk mund qëndronte në këmbë. Sapo është dhënë informacioni për ndalimin e të dyshuarit, krerët e policisë së kryeqytetit dhe oficerë të krimeve kanë mbajtur frymën kur kanë parë të dyshuarin. Po kështu edhe hetues të SHKB-së.
Qoli, sipas burimeve të policisë, ka pranuar rastin e djeshëm ndërsa kanë nisur të kërkohen edhe personat të cilët kanë bërë kallëzime për vjedhje të tilla të ngjashme. për rastet e tjera ai nuk ka pranuar, por dyshimet e policisë janë se pikërisht ai është autor.
Ndaj të kërkuarit, policia ka kryer mbrëmë një kontroll në banesën e të vëllait me banim në Tiranë si dhe në banesën e tij, në qytetin e Laçit. Burimet thonë se ai është përgjegjës për më tepër se 30 vjedhje me anë të mashtrimit ndërsa shumat e vjedhura kapnin shifrat e deri 2 milionë lekëve të vjetra në disa raste.
Viktima të tij, kanë qenë në disa raste, qytetarë të ndryshëm që udhëtonin në autobuz në rrugë apo edhe në spitalin civil, ku policia edhe e arrestoi dje.