Gjen vdekjen për një parking, në burg autori
29/05/2005 TIRANË – Dërgohet në burg pa afat i pandehuri Halit Shahini, 43 vjeç, akuzuar se qëlloi për vdekje shtetasin Besnik Pashaj, roje në një parking në afërsi të Bankës Amerikane. Para gjykatës, Shahini është shprehur se nuk ka patur si qëllim të godiste për vdekje rojen, por ishte një aksident i momentit. Sipas tij, viktima nuk e ka lejuar të parkojë makinën, duke pretenduar se vendi ishte i paguar. Por i pandehuri nuk e ka pranuar këtë fakt. Midis tyre ka nisur një debat banal, që më pas përfundoi tragjikisht. Halit Shahini e ka shtyrë rojen, i cili ka rënë me kokë në trotuar. Edhe pas dhënies së ndihmës së shpejtë dhe dërgimit në Spitalin Ushtarak, Besnik Pashaj nuk arriti të shpëtojë nga vdekja. I pandehuri Shahini ka kërkuar ndjesë para gjykatës, por nuk arriti ta bindë atë për të mos qëndruar në burg pa afat. Edhe avokati mbrojtës kërkoi një masë më të butë për Shahinin, duke pretenduar se nuk është person me rrezikshmëri shoqërore dhe se vdekja e viktimës ka qenë një aksident.
A.Çuka
A.Çuka