E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenden gjurmë gishtërinjsh, asnjë pistë për ngjarjen

21/02/2010 Atentati ndaj Eltar Dedes, reagojnë 2 kampet politike

Kanë vijuar hetimet intensive në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje ndaj kryetarit të Partisë Socialiste të Vlorës, Eltar Deda, ku u tentua një shpërthim nëpërmjet eksplozivit. Në Prokurorinë e Vlorës mësohet se deri tani nuk ka pista të përcaktuara, apo detaje të tjera që mund të ndihmojnë hetimin, duke e lënë ngjarjen ende në një pikë të errët. Ajo çka kanë në dorë deri tani hetuesit janë gjurmët e gishtërinjve, të cilat janë dërguar në Tiranë. Pritet sjellja e përgjigjes për të ndihmuar hetimet. Deri tani janë pyetur rreth 6 persona në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë të re në lidhje me ecurinë e hetimeve. Ndërkohë nga selia rozë e Vlorës ka pasur një deklaratë mbi çështjen: Brenda një kohe dyjavore, qyteti i Vlorës u trondit nga dy akte kriminale, ndaj përfaqësuesve politik të Partisë Socialiste. Akti i djeshëm është akoma më i rëndë se dora kriminale me prapavijë të qartë politike, goditi deputetin dhe kryetarin e Partisë Socialiste të Vlorës Eltar Deda. Partia Socialiste dhe të zgjedhurit e saj në qytetin e Vlorës, janë plotësisht të angazhuar për një ambient politik sa më të qetë dhe për një ballafaqim politik konkurrues, pa nxitur tensione ndërpartiake. Këtë klimë të qetë dhe bashkëpunimi e prishi Sali Berisha me deklaratat e tij kërcënuese dhe kriminale, për shkulje dhëmbësh dhe nofullash, të bëra në Parlamentin shqiptar. Po i menjëhershëm ka qenë reagimi selisë blu. “Partia Demokratike, dega Vlorë, dënon ngjarjen e ndodhur dje, ku kryetari lokal i Partisë Socialiste z. Eltar Deda u përfshi në një akt papërgjegjshmërie të individëve ende të paidentifikuar.

Partia Demokratike, dega Vlorë, inkurajon organet e drejtësisë dhe policisë, që me profesionalizmin e përhershëm e përkushtimin maksimal të zbardhin këtë ngjarje.

Shprehim keqardhjen tonë për deklaratën e bërë nga selia rozë e Vlorës, ku edhe në këtë rast të paqartë e të amullt, në përsiatjet e muajve të fundit, vazhdojnë të kërkojnë që edhe këtë ngjarje akoma të pazbardhur ta politizojnë duke mos kontribuar kështu në krijimin e një klime të paqtë politike. Dh. Spiro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›