E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenden shkelje në dokumentet e pronësisë

Zyra e Komisionit të Verifikimit të Pronave pranë institucionit të prefektit në Berat ka hasur në një sërë problemesh, madje dhe shkelje të rënda ligjore, me dokumentet e pronësisë së tokave të ish-ndërmarrjeve dhe ish-kooperativave bujqësore. Shefi i zyrës së verifikimit të akteve të tokave, Nuri Behari, pohon se nga 150 kërkesa të cilat janë nën kontrollin e imtësishëm, janë gjetur 27 akte pronësie të paligjshme. Ndërkohë që, sipas tij, ky është fillimi i kontrollit mbi këto dosje, ndërsa pritet të vijojnë kontrollin e 340 dosjeve të tjera. Behari nuk ngurron të pohojë se kanë mundur nëpërmjet kontrollit të imtësishëm të gjejnë shkelje të rënda ligjore si: certifikata false me numër jo real të familjeve, akte pronësie të personave që nuk janë nga ajo komunë apo bashki, ose ka në sipërfaqe më shumë tokë bujqësore nga sa u takon fermerëve në një vend të caktuar.

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›