Nuk njoftojnë kapitanerinë, gjobiten tre skafistë italianë
Policia kufitare e Vlorës ka gjobitur me 100 mijë lekë tre italianë, pronarë skafesh. Pas një aksioni të befasishëm, të organizuar mëngjesin e djeshëm në zonën e Karaburunit, janë gjetur tre gomonet italiane dhe një skaf shqiptar, të cilët nuk kishin njoftuar për praninë e tyre autoritetet shqiptare. "Nga kontrolli i ushtruar në zonën e Karaburunit është konstatuar se personat që i përdorin gomonet ishin shtetas italianë. Pasi janë tërhequr në zonën e Radhimës për të verifikuar dokumentacionin, ka rezultuar se ata kanë qenë në rregull dhe se dispononin leje të autoriteteve italiane", ka thënë për "Shqip" drejtori i policisë kufitare, Rezart Velmishti. Më tej, ai ka sqaruar se janë marrë masa administrative, duke i gjobitur të tre drejtuesit e gomoneve me nga 100000 lekë për mosnjoftim në Kapitanerinë e Vlorës për futjen në ujërat territoriale shqiptare dhe më pas janë lënë të lirë. "Skafistët italianë janë shprehur se kanë qenë të detyruar të strehohen në zonën e Karaburunit nga përkeqësimi i kushteve të detit", ka thënë Velmishti. Tre gomonet janë mbajtur nën vëzhgim deri sa janë larguar nga territori shqiptar, ndërkaq gjatë kontrollit në breg të detit në zonën e Zvërnecit, policia ka gjetur dhe sekuestruar midis disa shkurreve, një skaf të vogël pa motor. Ende nuk dihet se kush është pronari i mjetit lundrues, ndërkohë që policia po punon për identifikimin e tij. Gjatë aksionit të djeshëm, ku morën pjesë dy skafe motovedeta të Guardia di Financa, si edhe dy gomone të policisë kufitare shqiptare është bllokuar një skaf i vogël pa motor (me vela), i cili nuk dispononte dokumentacion të rregullt.
Mi.Ma.
Mi.Ma.