E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gomonia e vjetër", 6 trafikantë nën akuzë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për një grup kriminal. Gjashtë persona janë vënë nën akuzën e "trafikut ndërkombëtar" të lëndëve narkotike. Ata akuzohen se kanë tentuar të dërgojnë në shtetin italian një sasi prej 116 kilogramë hashash.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se është provuar se në datën 11 tetor 2008, në afërsi të bregut të Gadishullit të Karaburunit është kapur dhe sekuestruar një sasi prej 116 kilogramësh lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, e cila është nisur nga vendi i quajtur Pylli i Sodës, Vlorë, për t‘u trafikuar në Itali me skaf dhe është hedhur në det nga të pandehurit Aranit Bida, Aleksandër Begu dhe Avni Dhrami, gjatë ndjekjes së skafit nga policia. Kryerja e kësaj vepre penale ka filluar në kohën kur i pandehuri Blerim Beqiraj ka blerë një sasi lënde narkotike kanabis sativa, në fillim të muajit tetor 2008 dhe e ka sistemuar atë në banesën e tij në Fier. Në bashkëpunim me Aranit Bidën dhe Aleksandër Begun ka nisur përpjekjet për trafikimin e saj në drejtim të shtetit italian. Ata kanë kontaktuar të pandehurin Avni Dhrami, banues në Vlorë, i cili kishte njohuri lidhur me mjetet dhe transportin në det. Për këtë qëllim, kanë zhvilluar disa takime dhe biseda gjatë datave 6, 7, 8 tetor për planifikimin dhe kryerjen e trafikut. Në funksion të trafikimit të lëndës kanë siguruar një mjet lundrues, skaf me gjatësi 4.5 metra dhe 2 motorë. Gjithashtu, Beqiraj, për të kontrolluar detin nga mjetet e policisë dhe për të siguruar nisjen dhe daljen e mjetit në det të hapur, është lidhur me të pandehurin Ardian Gocka, i cili kishte në pronësi dhe të regjistruar në Kapitenerinë e Portit të Vlorës një mjet lundrues skaf, dhe kishte mundësi të dilte në det sa herë kishte nevojë. Pasi kishin bërë gjithë përgatitjet e duhura, Blerim Beqiraj, Aranit Bida, Aleksandër Begu dhe Avni Dhrami tentojnë të nisin skafin për trafikimin e lëndës në datën 9.11.2008. Në orët e drekës konstatojnë që motori kryesor i skafit kishte një defekt dhe i pandehuri Avni merret me rregullimin e tij. Në orët e pasdites rregullohet motori i skafit dhe të pandehurit Aranit Bida dhe Aleksandër Begu shkojnë në Vlorë për t‘u nisur dhe bërë transportin e lëndës narkotike në drejtim të Italisë. Nisja nuk u bë për shkak se të pandehurit Ardian Gocka dhe Roland Lulaj nuk morën përsipër kontrollin e rrugës detare me skaf, pasi ishte vonë dhe policia nuk u jepte leje për të dalë në det. Për këtë shkak, trafikimi i lëndës lihet për të nesërmen. Në datën 10.11.2008, i pandehuri Blerim Beqiraj, i cili kishte fjetur në një hotel në Vlorë, që në orët e paradites lidhet me të pandehurit Avni Dhrami për t‘u përgatitur lidhur me trafikimin e lëndës narkotike dhe ndërkohë komunikon me të pandehurit Aranit Bida dhe Aleksandër Begu që të prisnin në Fier, pasi do t‘i njoftonte ai për t‘u nisur në Vlorë. Rreth orës 20:30 të pandehurit Avni Dhrami dhe Roland Lulaj dërgojnë në breg të detit, te vendi i quajtur Pylli i Sodës, me një furgon me ngjyrë të bardhë motorët dhe gjithë pajisjet e nevojshme për lundrim. Gjatë rrugës, furgoni pëson defekt teknik dhe të pandehurit detyrohen ta shpien në breg të detit furgonin me rimorkim. I pandehuri Blerim Beqiraj sjell lëndën narkotike, e cila ishte marrë nga Fieri dhe fshehur pranë hotelit ku ai qëndronte, në vendin e nisjes së skafit ku prisnin të pandehurit Aranit Bida dhe Aleksandër Begu për transportin e saj. I pandehuri Blerimi Beqiraj, pasi ngarkon lëndën në skaf, largohet. Ndërkohë Ardian Gocka kishte marrë leje për dalje në det me skafin e tij në orën 18:00 dhe merrej me kontrollin e hapësirës detare në Gjirin e Vlorës. Ai komunikon në mënyrë të pandërprerë nëpërmjet telefonit me të pandehurin Roland Lulaj, i cili vetë në momentin e nisjes së skafit i ka transmetuar drejtuesit të tij, Avni Dhramit, porositë e Ardianit. Pas nisjes së skafit i pandehuri Ardian i komunikon nëpërmjet telefonit përsëri të pandehurit Roland informacion lidhur me rrugën detare dhe njëkohësisht i kërkon atij ta porositë drejtuesin e skafit për rrugën që duhet të ndjekë. Policia duke konstatuar skafin dhe e vënë në dijeni për trafikun e lëndës vihet në ndjekje të skafit. Ata hedhin lëndën narkotike në det dhe braktisin skafin në breg të detit në Gadishullin e Karaburunit.

S.Ç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›