E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, arratiset nga burgu miku i "UFO"-s

Duket se një nga njerëzit më të "famshëm" në Itali, Ilir Paja, edhe pjesëtarët e organizatës së tij kriminale i ka "UFO", siç edhe është pagëzuar ai vetë nga policia e përtej detit. Mediat italiane kanë njoftuar se pardje nga burgu i sigurisë së lartë në qytetin Terni është arratisur në mënyrë spektakolare shqiptari i dënuar për rrëmbim dhe grabitje, Taulant Toma. I arratisuri, i cili konsiderohet person tepër i rrezikshëm, sipas policisë italiane ka arritur të largohet fare thjesht nga vendi ku po kryente dënimin, duke përfituar nga një vrimë në rrjetën rrethuese të një minifushe futbolli, ku po luante së bashku me 20 të burgosur të tjerë. Por ende pa u mbyllur loja, 36-vjeçari Toma, duke përfituar nga rrëmuja dhe shkrehja e gardianëve, është larguar qetë nga vrima. Edhe pse kanë kaluar disa orë nga arratisja, mungesa e tij është vënë re vetëm pas apelit të orës 16.00 të pasdites, kohë kur edhe është dhënë alarmi. Dhjetëra forca policore të mbështetura edhe nga helikopterë, kanë nisur kërkime në të gjithë zonën, por deri në orët e mbrëmshme nuk është gjetur asnjë gjurmë e Taulant Tomës. Madje, në Terni kanë mbërritur nga Roma urgjentisht krerët më të lartë të policisë dhe burgjeve të shoqëruar nga ekspertë, ndërsa përforcime të shumta janë çuar në zonë edhe nga Perugia, thonë mediat italiane. Menjëherë pas daljes së këtij lajmi, vendi fqinj është përfshirë nga debati politik dhe publik, për nivelin e sigurisë së burgjeve italiane. Duket se pritet përfundimi i hetimeve për të zbardhur përfundimisht nëse arratisja e Tomës ka qenë aksidentale apo e organizuar me bashkëpunëtorë nga brenda dhe jashtë. Mediat italiane i kanë mëshuar gjithashtu faktit që 36-vjeçari është pjesëtar i bandës së Ilir Pajës, i etiketuar nga policia italiane me pseudonimin "UFO", për shkak të realizimit me sukses të planeve të tij për t‘u larguar nga burgu, siç edhe e ka bërë dy herë. Toma ndodhej në qeli, pasi ishte shpallur fajtor për grabitje dhe rrëmbim personi, disa nga pak akuzat që rëndojnë edhe mbi organizatën e Pajës. Po sipas policisë italiane, Ilir Paja akuzohet për vrasje, trafik droge, vjedhje të vilave të pasanikëve, rrëmbim personi, dhunë seksuale dhe shfrytëzim prostitucioni. Ai është arrestuar në Itali fillimisht pas një kërkese të bërë nga policia gjermane. Paja akuzohet se ka vrarë një tjetër shtetas shqiptar në Duisburg të Gjermanisë. Pas arratisjes së parë me anë të një litari të gjatë të krijuar me çarçafë nga burgu i sigurisë së lartë në Firence, ai u akuzua nga policia italiane për një vrasje dhe një plagosje të pjesëtarëve të një grupi rival, që kishin lidhje me trafikun e femrave. Ai u arrestua përsëri nga policia italiane, por këtë radhë për llogari të drejtësisë së saj. Gjithsesi, Paja ka mundur sërish të arratiset, por këtë herë është fshehur në Shqipëri, ku sipas policisë dyshohet se ka vazhduar intensivisht të kryejë veprimtarinë e tij kriminale. Pas një muaji hetimesh, Policia e Tiranës kishte siguruar informacione të sigurta për lëvizjet e tij në kryeqytet. Edhe pse ka tentuar të arratiset sërish, duke shtypur me makinë një nga agjentët e GOS, ai më në fund është prangosur.

Re.kro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›