Gjenden të ngrirë dy të rinjtë në fshatin Vithkuq
Korçë- Ka përfunduar me një fund të lumtur historia e dy të rinjve që kaluan më shumë se 12 orë në dëborë. Dy të rinj nga fshati Vithkuq në rrethin e Korçës kanë dashur të shkojnë te disa të afërmit e tyre në një tjetër fshat në rrethin e Devollit, ndërsa udhëtimi aventurier në këmbë përmes borës gati u ka kushtuar atyre me jetën. Por menjëherë familjarët kanë dhënë alarmin dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë, pasi nuk kanë pasur lidhje me ta. I ftohti polar është rikthyer prej disa ditësh në qarkun juglindor të vendit, ndërsa dëbora dhe temperaturat e ulëta kanë vështirësuar jetën kryesisht në zonat malore të këtij qarku. Një ditë më parë Neritan Hasani 21 vjeç nga Tirana dhe Stefano Doni 18-vjeçar nga Korça, shokë me njëri-tjetrin, janë nisur mesditën e të enjtes nga fshati Vithkuq te disa të afërmit e tyre në fshatin Qytezë të rrethit të Devolit. Rruga do të përshkohej në këmbë nga të rinjtë edhe për kënaqësi të dëborës. Por në orët e mbrëmjes së kaluar të rinjtë kanë humbur kontaktet telefonike me familjarët, duke shkaktuar panik tek ta. Menjëherë këta të fundit kanë kërkuar ndihmën e forcave të policisë për gjetjen e vendndodhjes së Hasanit dhe Donit, si dhe kthimin e tyre në shtëpi. Pas këtij sinjali është organizuar një operacion shpëtimi nga ana e policisë së Korçës, ndonëse terreni ka qenë shumë i vështirë, ndërsa trashësia e borës ka kaluar të 150 centimetrat. Nga ora 21.00 e mbrëmjes së të enjtes ka vazhduar kërkimi deri në orën 02.30 të mëngjesit të të premtes. Dy të rinjtë janë gjetur gjysmë të ngrirë në afërsi të fshatit Shtyllë të komunës Vithkuq. Të rinjtë që kanë vënë në alarm policinë dhe banorët e zonës janë transportuar në spitalin rajonal të Korçës, ku pas mjekimit të parë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë bërë të ditur se trashësia e dëborës i ka penguar të ecnin dhe kjo i ka bërë ata të humbin rrugën. Tashmë historia e tyre quhet e mbyllur, teksa i kanë shpëtuar për mrekulli një fundi tragjik.