E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimi i ndërtimeve në Plazh, nis shqyrtimi i 3200 dosjeve

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 26-02-2011 10:01

DURRËS- Njësia e Aluiznit në Durrës ka nisur punën për shqyrtimin e dosjeve që janë përgatitur për ndërtimet pa leje në zonën e Plazhit. Zona në fjalë është e fundit që merret në shqyrtim nga Aluizni, në përfundim të të cilës nuk do të ketë më zona informale me ndërtime pa leje. Drejtori i Aluiznit në Durrës, Andi Lila, ka bërë të ditur se “tashmë kemi rifilluar procedurat për 3200 aplikimet që janë bërë nga vetë banorët e Plazhit, ndërkohë që ne kemi përfunduar evidentimin e ndërtimeve në terren, kemi matur dhe kemi bërë dixhitalizimin e tyre”. Shqyrtimi i 3200 ndërtimeve të Plazhit ka filluar duke i ndarë këto ndërtime në dy zona. Së pari, janë marrë në shqyrtim ndërtimet që janë kryer në tokë me pronar shtetin, ndërsa ndërtimet e kryera në tokë me ish-pronarë, do të lihet për t’u shqyrtuar në një fazë të dytë. Për të verifikuar nëse këto ndërtime nuk kanë probleme me ish-pronarët, Aluizni është duke bashkëpunuar me zyrën e urbanistikës së Bashkisë së Durrësit, e cila, bazuar edhe në planin urbanistik, ka dhënë detaje për çdo ndërtim të kërkuar nga Aluizni. Paralelisht me këto veprime, Aluizni ka ndërtuar edhe hartën e pronës, në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pjesa më e madhe e ndërtimeve pa leje që janë kryer në zonën e Plazhit, afër 65 për qind e tyre, janë ndërtuar në tokë të ish-pronarëve. Lila ka bërë të ditur se në mbledhjen më të afërt të Aluiznit janë gati për të bërë njoftimin e 250-300 dosjeve që kanë përfunduar veprimet për pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Pagesat

Megjithëse procesi i legalizimit në Plazh ka filluar tashmë, shumë pak janë interesuar banorët e zonës për çmimin që do të duhet të paguajnë për çdo metër katror tokë të zënë. E gjithë zona e Plazhit është ndarë në tri nënzona, të cilat janë ndarë me tre nivele çmimesh. Kështu, si orientim është marrë rruga aktuale që kalon nga Ura e Dajlanit për në Plepa dhe linja hekurudhore. Kështu, zona që ka ndërtime nga kjo rrugë në drejtim të detit ka edhe çmimin më të lartë të tokës. Bazuar në hartën e vlerës që është miratuar me vendim qeverie, një metër katror tokë në këtë vend ka një çmim që shkon deri në 40 mijë lekë të reja. Zona e dytë është ajo që shtrihet nga rruga aktuale U. Dajlanit-Plepa deri te linja hekurudhore. Në këtë zonë toka e zënë do të vlerësohet me 28 800 lekë deri në 30 500 lekë. Zona e tretë është ajo që kalon përtej linjës hekurudhore dhe është fiksuar me çmimin 14 000 lekë për metër katror. Personat e interesuar do të duhet të paraqiten pranë zyrave të Aluznit për të mësuar më shumë detaje, ndërkohë që për momentin bëhet e ditur se vetëm toka me pronar shtetin ka precedencë për kryerjen e veprimeve në fazën e parë të procesit në zonën e Plazhit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›