Vrasja e Trashanit, Policia shqiptare dhe gjermane në ndjekje të 50- vjeçarit
Tiranë- Policia e Shtetit ka nisur një bashkëpunim të ngushtë me zyrat e Interpolit në Gjermani, për të rënë në gjurmët e të dyshuarit kryesor për vrasjen e juristet 32-vjeçare Aurora Trashani. Burime konfidenciale bëjnë të ditur për MAPO-n se tashmë kanë arritur të identifikojnë autorin, me inicialet R.V., i cili është rreth moshës 50 vjeç. Menjëherë pas identifikimit të tij, Interpol Tirana ka kërkuar ndihmë nga homologët gjermanë, pasi sipas të gjitha të dhënave të mbledhura gjatë hetimit, rezulton se R. V. pas ngjarjes është larguar në drejtim të Gjermanisë, ku dhe jeton prej disa vitesh.
Referuar të njëjtave burime, mësohet se 50-vjeçari, R.V., ka mbërritur vetëm një ditë përpara ngjarjes në Tiranë dhe ka udhëtuar me taksinë e Abedin Mulajt, i cili tashmë është i arrestuar. Sipas intenerarit të përshkruar nga Mulaj përpara hetuesve, ai e ka marrë të dyshuarin në Rinas dhe më pas e ka transportuar pranë “Kullave Binjake”. Më pas, R.V. i ka kërkuar që ta transportojë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pranë banesës së Trashanit. I dyshuari i ka kërkuar që të presë, pasi nuk do të vonohej shumë. Gjatë gjithë kohës kur R.V. ka qenë në apartamentin e Trashanit, taksisti Mulaj ka qëndruar poshtë pallatit. Pasi ka dalë nga banesa e Trashanit, i dyshuari i ka kërkuar taksistit që ta dërgojë në banesën e tij, e cila nuk bëhet e ditur se ku ndodhet. Sipas një piste të hetimit, dyshohet se pasi kanë mbërritur në banesën e R.V., Abedin Mulaj është ngjitur në apartamentin e tij, ku ka qëndruar për disa çaste. Ndërkohë ditën tjetër, kur R.V. ka telefonuar Abedin Mulajn për ta dërguar në Rinas, ky i fundit ka refuzuar ta dërgojë, duke u shprehur se ishte i zënë dhe nuk mund ta shoqëronte. Ndërkohë, sipas të dhënave të grumbulluara deri më tani, bëhet e ditur se juristja 32-vjeçare, Aurora Trashani, është njohur në internet me të dyshuarin R.V.. Kjo gjë është mësuar pas kontrollit që i është bërë postës së saj elektronike, ku dhe janë gjetur mesazhe të shumta të shkëmbyera mes të dyve. Sipas tyre, Trashani dhe R.V. kishin krijuar një lidhje dashuri, por në një moment 50-vjeçari ka dyshuar në tradhtinë e juristes së Autoritetit të Konkurrencës dhe në këto rrethana ka vendosur të hakmerret ndaj saj, duke i marrë jetën.
Aurora Trashani u gjet e pajetë në shtëpinë e saj më datë 2 shkurt. Ngjarja u raportua fillimisht si zjarr dhe në vendngjarje mbërritën forcat e zjarrfikëseve. Trupi i pajetë është nisur drejt morgut të Tiranës, ndërsa versioni i parë zyrtar kishte të bënte me vdekjen, si pasojë e asfiksisë nga tymi. Burime policore në vendngjarje bënë të ditur se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orëve të para të ditës së djeshme, në apartamentin ku 32-vjeçarja Aurora Trashani jetonte e vetme. Por kjo ngjarje mori një rrjedhë tjetër, kur ekspertët mjeko-ligjorë alarmuan forcat e policisë, për faktin se Trashani ishte qëlluar disa herë me thika. Një grup specialistësh u rikthyen sërish në banesën e viktimës, ku nisën mbledhjen e provave të mundshme, që do të çonin në përforcimin e dyshimeve, për një vrasje të mirëmenduar. Ka qenë ekspertiza e mjekësisë ligjore, e cila ka zbuluar se 32-vjeçarja nuk ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë, por është goditur disa herë me mjete prerëse në pjesën e gjoksit, goditje këto që i kanë marrë dhe jetën.
Ndërkohë, Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana prej gati një jave janë duke bashkëpunuar ngushtë me homologët e saj në Gjermani, për të rënë në gjurmët e 50-vjeçarit R.V., i cili pas gjithë provave të mbledhura rezulton të jetë autori i vrasjes së 32-vjeçares, Aurora Trashani.