Gjenden trupa të tjerë të "Air France"
Autoritetet braziliane njoftuan se dje u gjetën edhe tre trupa nga avioni i shoqërisë "Air France", i zhdukur rreth një javë më parë pranë brigjeve të Brazilit. Numri i trupave të zbuluara deri tani nga fluturimi AF447, në të cilin udhëtonin 228 pasagjerë, shkon në pesë. Të shtunën, një mjet lundrues i Forcave të Armatosura braziliane transportoi trupat e dy burrave. Njëri prej tyre u identifikua shumë shpejt si pjesëtar i listës së pasagjerëve të avionit. Sa u përket tre trupave që u zbuluan dje, autoritetet braziliane bëjnë me dije se është shumë e vështirë përcaktimi i saktë i gjinisë së tyre. Zyrtarët e ushtrisë nuk pranuan as të përshkruanin gjendjen e tyre, kaq shumë ditë pas vdekjes, duke e justifikuar këtë veprim si të domosdoshëm për t‘iu përmbajtur normave të mirësjelljes veçanërisht në raport me familjarët e viktimave.