E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet dy te mbijetuar ne anijen Costa Concordia

Zjarrfikësit arritën të gjenin dy persona të mbijetuar në një nga kabinat e anijes së mbytur italiane “Costa Concordia” në Detin Tiren. Zjarrfikësit vendosën lidhje me çiftin nga Koreja e Jugut dhe i gjetën ata në një prej kabinave. Të paktën tre njerëz humbën jetën kur anija goditi tokën të premten në mbrëmje në brigjet veriore të Italisë dhe u pëmbys në njërin krah. Më shumë se 30 persona të tjerë u plagosën. Të paktën 40 vetë figuronin ende të humbur deri mbrëmjen e së shtunës.
Kapiteni italian Francesco Schettino u ndalua mbrëmë disa orë për t’u marrë në pyetje. Agjencia italiane e lajmeve ANSA thotë se ai mund të jetë përballë disa akuzave, përfshirë vrasjen dhe braktisjen e anijes.
Tre trupa u nxorrën nga deti dhe autoritetet thonë se të paktën 40 vetë figurojnë të humbur, rreth 24 orë pas incidentit. Lajmet bëjnë të ditur se dy francezë humbën jetën si dhe një anëtar peruvian i ekuipazhit.
Operacionet e emergjencës u ndërprenë mbrëmë, pasi zhytësit e kaluan ditën duke kërkuar nëpër pjesën e zhytur në ujë të anijes dhe në ujërat përreth saj.
Të mbijetuarit kishin veshur jelekët e shpëtimit dhe helikopterët evakuan më shumë se 4 mijë pasagjerë dhe personel të anijes në ishullin e Xhilion dhe Porto Santo Stefanos dje para dite.
Costa Concordia është anija më e madhe e këtij lloji në Itali, 290 metra e gjatë, me të mund të udhëtojnë deri 3 mijë e 780 pasagjerë dhe në bord ka çdo lloj komforti, pesë restorante, katër pishina dhe rreth 2 mijë metra katrorë sipërfaqe kushtuar sporteve të ndryshme. Pikërisht nga përmasat e anijes, aksidenti i mbrëmshëm u krahasua me atë të anijes 'Titanic'.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›