PDU-ja e Shpëtim Idrizit nis tubimet për çështjen çame
Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, vijoi tubimet e kësaj partie në qytetin e Sarandës. Duke folur përpara qindra simpatizantëve të kësaj partie, në sallën e teatrit të qytetit, Idrizi theksoi nevojën për bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Greqisë, si edhe mes popullsisë çame dhe minoritetit grek në vendin tonë. “Rrethi i Sarandës ka në përbërjen e tij dhe shumë fshatra me minoritarë, që janë vëllezërit tanë. Ne kemi ndarë me ta, si fqinjë e njerëz që jetojmë në të njëjtin vend, të mirat dhe të këqijat. Çamët dhe minoritarët kanë ndjerë diskriminimin dhe marxhinalizimin në regjimin komunist. Çamët dhe minoritarët janë urat e vërteta të bashkëpunimit dhe të miqësisë jo vetëm midis tyre, por dhe midis dy vendeve, Greqisë dhe Shqipërisë, si dy vende fqinje. Dy vende që kanë përjetuar në mënyrë të përbashkët momente të mira dhe të vështira në historinë e trazuar të Ballkanit”, - është shprehur Idrizi. Ai paraqiti përpara të pranishmëve objektivat dhe programin e PDU-së dhe theksoi se nuk kemi të bëjmë me një parti çame, por me një parti që ka në qendër të vëmendjes të gjitha çështjet kombëtare, porse çështja çame, si më e pazgjidhura e këtyre 65 viteve, meriton një vëmendje të veçantë. “PDU do të jetë partia e interesit kombëtar, e zgjidhjes së çështjes kombëtare kudo nëpër Ballkan: Në Kosovë, ku aspirata kryesore është njohja e pavarësisë, mbushja me lëndë e shtetit më të ri në Europë; në Maqedoni, ku aspirata kryesore është përparimi i statusit kombëtar të shqiptarëve. PDU do të jetë partia e emigrantëve kudo ku janë nëpër botë”, - tha Idrizi.
10 Nentor 2009